
Ilir Alimehmeti u rikthye mbrëmjen e sotme në qendër të debatit politik, pasi reagoi në Top Story ndaj deklaratës së Gazment Bardhit, i cili e quajti mbledhjen e disa figurave të PD-së vetëm “një kafe mes tyre”.
Me ironi, Alimehmeti tha se nuk ka ndërmend t’u përgjigjet statusëve në Facebook, duke nënvizuar se problemi nuk është te takimet, por te mënyra se si Partia Demokratike është menaxhuar.
Sipas tij, demokratët janë lënë sistematikisht pa diskutime, pa mbledhje dhe pa komunikim real, çka ka sjellë pasoja në terren: një qeveri që nuk rrëzohet dot dhe një opozitë që nuk arrin më të sjellë qytetarët pranë vetes.
“Statuseve në FB nuk komentoj. Po të donin të na thërrisnin, Këshilli Kombëtar ishte vendi. Lënia pa diskutuar e demokratëve sjell situata si këto – një qeveri e kalbur që nuk rrëzohet dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. Pse arritëm në këtë tryezë? Kjo pyetje u takon atyre. Ne vazhdojmë punën, ata i kanë larguar njerëzit,” deklaroi ai.
Alimehmeti u shpreh se nëse PD kërkon të ringrihet, duhet të nisë riorganizimi nga “koka te këmbët”. Ai theksoi se mbledhjet spontane nuk janë nisma politike, por rezultat i boshllëkut të krijuar nga mungesa e demokracisë së brendshme.
Në debatin e brendshëm, sipas tij, përgjegjësia bie mbi drejtuesit që “kanë harruar kandidatët, strukturat dhe njerëzit” pas zgjedhjeve të 11 majit.
Në një periudhë tensioni dhe fragmentimi të vazhdueshëm, deklaratat e Alimehmetit shtojnë presionin mbi lidershipin aktual, ndërsa përplasjet për drejtimin e PD-së duken më të forta se kurrë.
