Emrat që zbulojnë gangrenën në polici: ushtarët e krimit shtohen, por Proda nuk lëviz nga karrigia

0

Arrestimi i efektivit të Antiterrorit Igli Haxhia brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, në një operacion të sinkronizuar mes Policisë së Shtetit, SPAK dhe autoriteteve italiane, është vetëm hallka më e fundit e një zinxhiri alarmant: policë të rekrutuar nga bandat, që tradhtojnë uniformën dhe i shërbejnë krimit të organizuar.

Sipas hetimeve të përbashkëta me Antimafian e Breshias dhe autoritetet zvicerane, Haxhia dyshohet se ka kaluar nga forcat speciale në rolin e “syve dhe veshëve” të një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës. Nga përgjimet e italianëve del se, në kohën kur shërbente në Forcën e Posaçme Operacionale, ai ka nxjerrë sekretin hetimor për persona nën hetim, duke marrë para në këmbim të informacionit dhe mbyllur njërin sy për detyra të shërbimit.

Rasti i tij lidhet drejtpërdrejt me një operacion të madh antidrogë, ku një grup i strukturuar kriminal me bazë në Shqipëri dyshohet se ka importuar mbi 1.3 ton kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore, për ta futur më pas në Itali me mjete të tonazhit të rëndë. Në këtë skemë, një oficer policie me akses në akte të klasifikuara, veprime hetimore dhe informacion operativ është armë strategjike për bandat. Dhe duket qartë se rekrutimi i policëve nuk është më përjashtim, por rregull.

Kur uniforma shërben si mburojë për bandat

Vitet e fundit dëshmojnë një model tashmë të përsëritur: efektivë nga Antiterrori, AMP-ja, Njësia Operacionale, RENEA e deri te policia e rendit të thjeshtë, dalin në dosje si pjesë e rrjeteve kriminale.

Pak javë më parë, Muçi Sheqeri, oficer i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u qëllua me breshëri në makinën e Gilmando Danit, gjatë një atentati të bujshëm. Sheqeri nuk ishte aty në cilësinë e hetuesit, por të shoferit e shoqëruesit të një prej njerëzve më të rrezikshëm të rrethit të Emiljano Shullazit, të dënuar për vepra të rënda penale. Një tjetër rast ku oficeri i ligjit rezulton i rreshtuar krah botës së krimit.

Rasti i Ervis Martinajt tregon të njëjtin model simbioze. Jeton Lami, efektiv i Njësisë Operacionale në skuadrën FAST, e shoqëronte Martinajn në lëvizjet e tij, ndonëse ky i fundit ishte zyrtarisht i shpallur në kërkim. Hetimet provuan se Lami ishte personi që e kishte dërguar Martinajn deri në Durrës, pak orë para se ky të zhdukej pa gjurmë.

Shkodër, hetuesit nuk kanë qenë gjithmonë në anën e barikadës së ligjit. Ardit Hasanbegaj, oficer i strukturave të hetimit dhe rendit publik, u ekspozua nga bisedat e dekriptuara të SKY ECC si pjesë e bandës së Bajrajve dhe Pëllumb Gjokës. SPAK e akuzoi atë për sigurim kushtesh dhe mjetesh për kryerjen e një vrasjeje kundër Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit – jo për zbardhjen e një krimi, por për realizimin e tij.

As kupola e policisë nuk ka mbetur e paprekur. Oltion Bistri, ish-shef i Forcës së Posaçme Operacionale dhe më pas ish-drejtor policie në Durrës e Lezhë, u arrestua si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal. Një drejtues që në teori duhet të udhëheqë luftën kundër krimit të organizuar, në praktikë del i implikuar në të.

Lezhë, ish-drejtori Henrigert Mitri rezultoi i rekrutuar nga një grup kriminal i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, si edhe i përfshirë në aktivitetet e lojërave të fatit. Aktiviteti i tij u dokumentua sërish nga bisedat e SKY ECC, duke dëshmuar sa lehtë kalohet nga mbrojtja e ligjit, në logjistikë për botën e nëndheshme.

Lista nuk ndalet. Dritan Metaj u arrestua nga SPAK si pjesë e grupit të Gëzim Çelës, një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës në vend. Arlind Ismailukaj, efektiv policie, u prangos në operacionin “Flakë në det”, i lidhur sërish me trafik narkotikësh.

Të marra së bashku, këto dosje e shndërrojnë atë që zyrtarisht quhet “devijim individual” në një model të përsëritur, ku krimi i organizuar nuk kënaqet më me ryshfete sporadike, por kërkon të ketë njerëzit e vet, të përhershëm, brenda uniformës.

I paprekshmi Ilir Proda dhe simbioza me pushtetin

Ndërkohë që skandalet me policë të kapur në krah të bandave shtohen, kryeministri Edi Rama vijon të refuzojë idenë e një “spastrimi” të thellë në radhët e Policisë së Shtetit.

I pyetur për atentatin e fundit, ku Gilmando Dani shoqërohej nga oficeri i AMP-së, Muçi Sheqeri, Rama zgjodhi të fliste për nevojën e kamerave të sigurisë në zonën përreth Rinasit. Ironikisht, atentati ishte filmuar plotësisht nga kamerat e bizneseve përreth, duke e bërë devijimin e përgjigjes së kryeministrit edhe më domethënës.

Përballë kësaj vale dosjesh e hetimesh, një fakt mbetet i pandryshuar: drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, vazhdon të gëzojë besim të plotë nga kreu i qeverisë. Dyshja Rama–Proda duket se funksionon në një simbiozë të rehatshme, ku njëri mbron tjetrin, ndërkohë që efektivët nën komandë kapen rresht si shoferë, roje sigurie, informatorë e korrierë të bandave që kontrollojnë trafik droge dhe territore kriminale.

Çdo ditë që kalon, hetimet e SPAK, përgjimet nga platformat e koduara dhe dosjet që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian tregojnë se gangrena në polici ka avancuar në çdo kat të kësaj strukture – nga patrulla e thjeshtë, deri në zyra drejtuesish.

Rasti Ritvan Pali: kur arreston krimin, “internohesh” në Kukës

Dyshimet se kjo gangrenë ka infektuar edhe majën e piramidës policore u përforcuan nga rasti i ish-shefit të Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali.

Disa muaj më parë, Pali vuri në pranga të shumëkërkuarin Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Nga përgjimet e SKY ECC rezultoi se Morina kishte shërbyer më herët për bandën e Durim Bamit në Fushë-Krujë. Arrestimi i tij në prill të këtij viti ishte hera e dytë që ai binte në prangat e policisë.

Operacioni, i ndjekur nga afër nga SPAK, u konsiderua një goditje serioze ndaj një grupi kriminal me degëzime në disa qarqe të vendit. Por pas këtij suksesi, në vend që të vlerësohej shefi i komisariatit, ai u kthye në “problem” për kupolën.

Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Ilir Proda, Ritvan Palit iu ul grada dhe më pas u transferua si specialist rendi në Kukës, një post shumë larg profilit dhe eksperiencës së tij profesionale. Largimi nga struktura operative në Tiranë dhe “internimi” në një detyrë periferike u lexuan gjerësisht si ndëshkim për arrestimin e Morinës.

I vendosur përballë një realiteti ku sukseset në luftën kundër krimit ndëshkohen, Pali zgjodhi të largohej nga Policia e Shtetit. Në media u raportua se edhe disa nga efektivët e përfshirë në operacion u transferuan në pozicione më të ulëta, duke krijuar një mesazh të qartë frikësues për çdo polic që guxon të shkojë “deri në fund”.

Kur u pyet në komisionet parlamentare nga deputeti i opozitës Flamur Noka për rastin Pali, Ilir Proda, në vend që të sqaronte arsyet reale të lëvizjes, u përgjigj me ironi, duke pranuar njëkohësisht se ishte vetë ai që kishte urdhëruar transferimin:
“Në qoftë se të shërbesh në Kukës qenka persekutim, ky është problemi juaj zoti Noka, jo i imi. Pyeteni se përse ka dhënë dorëheqjen…”.

Kur kupola të tradhton, kalimi në anën tjetër bëhet më i lehtë

Akuzat ndaj Ilir Prodës si njeriu që mban në ekuilibër interesat e bandave dhe të pushtetit politik, po shtohen. Ajo që del qartë nga dosjet, nga operacionet e dështuara në karrierat e policëve të ndëshkuar pse prekën “njerëzit e gabuar”, është se për drejtuesit e lartë nuk ka peshë fakti që:

– efektivët po kapen njëri pas tjetrit si shoferë, truproja, informatorë e korrierë të bandave;
– shumë policë e kanë kuptuar se janë të tradhtuar në radhë të parë nga kupola e tyre.

Në këtë klimë, ku ndershmëria nuk shpërblehet dhe lidhja me krimin nuk sjell domosdoshmërisht çmontim të zinxhirit komandues, asgjë nuk i pengon më disa nga njerëzit me uniformë të kalojnë haptazi në anën tjetër të ligjit.

Dhe për sa kohë që në krye të policisë qëndron i paprekur i njëjti drejtues, ndërsa “ushtarët e krimit” brenda strukturës shtohen, pyetja e vetme që mbetet është: sa nga këto raste janë zbuluar dhe sa të tjerë vazhdojnë ende të shërbejnë në heshtje, me armë, me gradë dhe me pagë nga shteti?

Artikulli i mëparshëmAlimehmeti në Top Story: “Gjithçka nis me një shtrëngim duarsh, PD duhet riorganizim nga koka te këmbët”