
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka bërë publike një shkresë zyrtare të vitit 2019, përmes së cilës akuzon qeverinë shqiptare se ka ndërhyrë për t’i falur kompanisë “Bankers Petroleum” një detyrim prej 120 milionë eurosh. Sipas Shehajt, vendimi është firmosur nga Belinda Balluku, në atë kohë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Dokumenti i publikuar tregon një letër të Ballukut drejtuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Doganave, ku ajo kërkon pezullimin e veprimeve për vjeljen e gjobës ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”. Sipas Shehajt, kjo gjobë ka lindur në vitin 2016, pasi kompania ishte penalizuar për evazion fiskal në lidhje me mospagimin e aksizës në import.
“Shehaj denoncon se, ndonëse Doganat kanë tentuar disa herë të mbledhin shumën, ato nuk kanë mundur ta realizojnë këtë proces ‘për shkak të ndërhyrjes direkte të politikës’. Momenti kur Balluku ka dërguar shkresën zyrtare, sipas tij, ka ardhur si sinjal i qartë për t’u ndalur çdo proces ligjor ndaj kompanisë.”
Publikimi i dokumentit ka rikthyer në qendër të debatit aferën shumëvjeçare të “Bankers Petroleum”, një çështje e cila vijon të hetohet nga SPAK, përfshirë Drejtorinë e Tatimeve dhe funksionarë të lartë të qeverisë.
