
Disa media, disa ditë më parë, nxituan ta paraqesin si fakt të kryer zgjedhjen e Jon Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por në realitet, vendimi nuk është marrë ende. Procedura formale kërkon që kandidatura e shpallur nga SPAK të kalojë më parë për votim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë — një institucion që, për hir të së vërtetës, rrallë ka treguar pavarësi reale, por gjithsesi meriton të presë momentin zyrtar, “benefit of the doubt”, siç do të thoshin amerikanët.
Mbledhja vendimtare është caktuar për datën 9 dhjetor, ora 11:00, aty ku KLP pritet të votojë nëse do të miratojë kandidaturën e Ketës për një mandat pesëvjeçar në krye të FBI-së shqiptare. Ai doli fitues në garën me shtatë kandidatë të tjerë, një proces që Prokuroria e Posaçme e konsideroi të mbyllur dhe të rregullt.
Pavarësisht parashikimit të përgjithshëm se KLP do ta vulosë pa shumë zhurmë këtë emërim, vendimi formal mbetet ende për t’u shpallur — dhe vetëm atëherë mund të thuhet me siguri se kush do të udhëheqë BKH-në për pesë vitet e ardhshme.
