
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve për abuzime të dyshuara me tenderat publikë të zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Pas më shumë se tre orësh në SPAK, Karçanaj doli pa dhënë deklarata, duke shmangur çdo pyetje të gazetarëve.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese, të dyshuara si të paracaktuara dhe me vlera të larta, që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve shtetërore. Dyshohet se kriteret janë formuluar në mënyrë të tillë që t’u përshtaten kompanive të caktuara, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.
Në fokus të hetimit është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i “Soft & Solution”, i cili dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme nga tenderat e kontestuar dhe është marrë më herët në pyetje nga hetuesit. Burime nga SPAK bëjnë të ditur se ditët e fundit janë thirrur për deklarime rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, mes tyre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Hetimet po thellohen, ndërsa drejtuesja e institucionit refuzoi të japë sqarime për publikun, duke lënë të hapur pikëpyetjet mbi skemën e dyshuar të abuzimeve me tendera që tashmë është në qendër të interesit të SPAK-ut.
