
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026 në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u përpoq të minimizonte ndërprerjen e fondeve IPARD, duke e quajtur “kënga e mjerueshme e fondeve të bujqësisë”. Ai argumentoi se hetimet e OLAF për periudhën 2019–2023 kanë gjetur shkelje të ngjashme edhe në disa shtete të Bashkimit Evropian, me shuma që sipas tij kapin mbi 1 miliard euro.
Por ky krahasim është i pavërtetë dhe i manipuluar.
Në një reagim zyrtar për Faktoje.al, Komisioni Evropian thekson se rasti i Shqipërisë është unik dhe se masa ndaj vendit nuk ka precedent në BE. Ndërsa vendet anëtare mund t’u nënshtrohen korrigjimeve financiare për mangësi teknike, Shqipërisë iu ndërprenë rimbursimet e IPARD II dhe iu pezulluan të gjitha masat e IPARD III mbi bazën e një hetimi formal të OLAF – një shkallë shumë më e rëndë dhe e pakrahasueshme me shtetet e BE-së.
Sipas KE-së, është e domosdoshme të dallohen “korrigjimet teknike” që aplikohen brenda BE-së, nga masat ekstreme të ndërmarra ndaj Shqipërisë, të cilat lidhen me dyshime serioze për mashtrim dhe manipulim të skemave të fondeve të bujqësisë.
Hetimi i OLAF në Shqipëri çoi në ndërprerjen e rimbursimeve të IPARD II dhe pezullimin e IPARD III që prej korrikut 2023, duke e çuar vendin në një situatë të paprecedentë që dëmton besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit europian. Për rikthimin e fondeve, kërkohen përmirësime të thella në sistemet e kontrollit dhe në zbatimin e masave korrigjuese.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria tenton të zbusë situatën: edhe më herët, ish-ministrja Frida Krifca pretendoi se shkelje të ngjashme gjendeshin në vende si Gjermania apo Franca, deklaratë e cila u përgënjeshtrua kategorikisht nga Komisioni Evropian. Edhe atëherë, KE theksoi se masa ndaj Shqipërisë është e vetmja në llojin e saj.
Në përfundim, deklarimi i Ramës se Shqipëria është në të njëjtën kategori me disa shtete të BE-së për shkeljet e konstatuara nga OLAF është i pavërtetë. Rasti i Shqipërisë është i izoluar dhe konsiderohet një prej ndërhyrjeve më të rënda ndaj një vendi kandidat, duke reflektuar probleme të thella me menaxhimin e fondeve europiane në sektorin e bujqësisë.
