Në Kongres, Trump i Kërkohet Më Shumë Angazhim në Ballkanin Perëndimor

0

Në një seancë dëgjimore në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ekspertë dhe ligjvënës amerikanë kërkuan që administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të rrisë ndjeshëm angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Argumenti kryesor: rajoni është sot një nga pikat më të paqëndrueshme të Evropës dhe terren i hapur për ndikimin e Rusisë, përmes Serbisë, dhe të Kinës, përmes marrëveshjeve ekonomike dhe investimeve të saj strategjike.

Republikani Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën, paralajmëroi se tensionet Serbi–Kosovë, kriza e vazhdueshme në Bosnje dhe rritja e aktiviteteve hibride të Rusisë e Kinës po e shtyjnë rajonin drejt një situate të rrezikshme. Ai vuri në dukje se aleatët e NATO-s — Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi — do të ishin ndër të parët në shënjestër në rast konflikti dhe se ekspozimi i Kosovës do të ishte edhe më i madh për shkak të mosanëtarësimit në Aleancë.

Ndërkohë William Keating, përfaqësuesi demokrat me rang më të lartë në nënkomitet, kritikoi heqjen e sanksioneve ndaj Millorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke thënë se kjo ka inkurajuar veprimet secesioniste në Bosnje. Ai i kërkoi administratës së Trump të forcojë presionin ndaj Serbisë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe distancimin nga Moska e Pekini.

Në dëshmi të tjera, studiues konservatorë dhe ekspertë të rajonit paralajmëruan se Bosnja mbetet në “krizë të përhershme”, se Serbia vazhdon të veprojë si pikë qendrore e ndikimit rus dhe se ndërhyrja amerikane është thelbësore për të stabilizuar rajonin. Propozimet varionin nga mbyllja e mediave ruse në Serbi e deri tek shtetëzimi i kompanisë energjetike NIS, e cila ka pronësi ruse.

Ekspertë si Max Primorac dhe Luke Coffey argumentuan se vetëm një lidership i fortë amerikan, i mbështetur në “paqen përmes forcës”, mund t’i japë Ballkanit një rrugë të besueshme drejt integrimit me Perëndimin, ndërsa Edward P. Joseph theksoi se stabiliteti i rajonit kërkon që SHBA ta orientojë Serbinë drejt zgjedhjes përfundimtare strategjike: distancim nga Rusia dhe integrim euroatlantik.

Mesazhi që mbizotëroi në Kongres ishte i qartë: Ballkani është tepër i rëndësishëm për t’u lënë në harresë dhe SHBA duhet të rimarrë rolin e saj udhëheqës për të ruajtur stabilitetin, për të parandaluar konfliktet dhe për të mbrojtur interesat strategjike perëndimore në rajon.

Artikulli i mëparshëmGjykata Kushtetuese Shtyn Shqyrtimin e Çështjes “Balluku”
Artikulli i radhësKomisioni Evropian Përgënjeshtron Ramën për Fondet IPARD