
Në ceremoninë e 25-vjetorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy Van Horn, vlerësoi rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në forcimin e klimës së biznesit shqiptar. Ajo theksoi se Dhoma Amerikane përfaqëson tashmë 267 kompani, një shifër që e cilësoi si dëshmi të ndikimit të saj në rritje dhe të besimit që investitorët amerikanë kanë në tregun shqiptar.
Van Horn nënvizoi se advokimi i Dhomës ka sjellë rezultate të prekshme, përfshirë përmirësime në sistemin e taksimit dhe vendime qeveritare që hapin rrugën për më shumë investime në sektorin energjetik. Sipas saj, kontributi i Dhomës Amerikane mbetet thelbësor për një klimë biznesi më konkurruese dhe më transparente.
Në fjalën e saj, diplomatja amerikane përcolli edhe një mesazh nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke theksuar angazhimin e tij për marrëveshje të drejta, konkurrencë të shëndetshme dhe luftë pa kompromis kundër korrupsionit.
“Presidenti Trump inkurajon marrëveshje të ndershme që garantojnë konkurrueshmërinë, luftën kundër korrupsionit dhe transparencën. Kjo i jep mundësi bizneseve të kenë sukses dhe të tërheqin më shumë investime amerikane në Shqipëri,” deklaroi Van Horn.
Ceremonia e jubileut të Dhomës mbajti së bashku përfaqësues të qeverisë, trupit diplomatik dhe komunitetit të biznesit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në partneritetin ekonomik SHBA–Shqipëri dhe duke riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për zhvillimet e qëndrueshme dhe transparente në vend.
