
Në debatin e ndezur mbi pezullimin e Belinda Ballukut, Kryeministri Edi Rama zgjodhi një rrëfim dramatik: shteti qenka “gjysmë i paralizuar” pa firmën e saj. Në dukje, një alarm institucional; në thelb, një justifikim politik i veshur me gjuhë juridike. Dhe aty nis absurditeti.
Sepse po, një e vërtetë ekziston: një ministër i pezulluar nuk ka të drejtë të firmosë. Kushtetuta ia përcakton qartë kufijtë. Por Rama lë pas dore një fakt edhe më themelor: pezullimi nuk e detyron Kryeministrin të mbajë ministrinë pezull. Nuk ka asnjë pengesë ligjore që Edi Rama të propozonte një ministër të ri brenda 24 orëve, ta çonte dekretin te Presidenti dhe të mbyllte menjëherë çdo boshllëk institucional.
Ai nuk e bëri.
Kjo është arsyeja pse marrëveshja me Kanadanë nuk nënshkruhet, pse lejet e energjisë nuk lëvizin, pse dosjet e KKT-së nuk zbardhen. Jo sepse GJKKO “i merr kompetencat qeverisë”, por sepse Kryeministri ka zgjedhur të mos i ushtrojë kompetencat që i jep Kushtetuta.
Rama e quan pezullimin “precedent të rrezikshëm”. Në demokracitë evropiane, pezullimi i një ministri nën hetim është standard, jo përmbysje e rendit. Është masa më elementare për të mbrojtur hetimin nga ndikimi politik. Nuk është gjykata që prodhon krizën; është qeveria që i jep krizës përmasa të pavërteta.
Kryeministri e paraqet sikur gjykata po ndërhyn në ekzekutiv. Por gjykata nuk emëron ministra, nuk shkarkon ministra dhe nuk ndërton kabinete. Ajo vendos masa sigurie. Pjesa tjetër është përgjegjësi politike, dhe vetëm politike, e Kryeministrit.
Kështu, drama e paralizës shtetërore nuk buron nga mungesa e firmës së Ballukut. Buron nga mungesa e vullnetit për ta zëvendësuar atë. Paraliza është e vetëkrijuar, mekanizëm presioni dhe narrativë victimizimi që synon më shumë mbrojtjen e “Belës” sesa funksionimin e shtetit.
Në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për shembuj të linjave ajrore me Kanada apo metafora të stërzgjatura. Ka nevojë për një qeveri që nuk e përdor boshllëkun institucional si mjet politik dhe që nuk e shet shërbëtorin si roje institucioni.
Sepse kur një shtet paralizohet, nuk është faji i firmës që mungon, por i atij që refuzon ta zëvendësojë.
