
Nga Irena Beqiraj
“Hë tani jepini, filloni shani e përqeshni sa të doni, si zakonisht. Po të paktën, futeni mirë në kokë, se kur unë them kjo do bëhet, është vetëm çështje kohe, pune, mundimi e durimi, por fjalën time s’e merr kurrë era. Prandaj BESIM dhe DURIM miq, se do t’i bëjmë, së bashku, të tëra ato që kemi në dorë t’i bëjmë për Shqipërinë që duam”!
Kështu na tha Kryeministri në e Gusht 2019, për të vazhdouar më pas me: “Pas “Lasgushit” që mbulon Stambollin, ja edhe “Migjeni”, avioni i dytë i flotës së Air Albanias që do të fluturojë në fillimvjeshtë drejt Italisë. Tani vazhdoni shani e përqeshni që mos na marrin më sysh, ndërkohë që “Naimi” do t’i shtohet flotës në fund të vitit për destinacione të tjera europiane dhe më tej, do të vijë “Noli” për linjën direkte Shqipëri-Amerikë. Më tutje do të vazhdojë zgjerimi i flotës me të tjerë, bazuar mbi suksesin e fazës së parë, po më mirë i’a lemë kohës të na tregojë e të flasë”.
Për të kalitur besimin e durimin e shqiptarëve edhe për të prishur syrin e keq, rreth një muaj u ngritën në qiell drejt Stambollit studentë, pensionistë dhe grupe njerëzish nga shtresa të margjinalizuara me shpenzime të paguara nga taksapaguesit shqiptarë.
Por kompania ajrore e flamurit kuqezi ‘Air Albania’ që ishte “një vepër kombëtare” sepse “shteti shqiptar nuk mund të ndjehej plotësisht i realizuar nëse neglizhonte pozicionin e vet në hartën dhe kullat e vendeve ku udhëtojnë shqiptarët” nuk fluturon më! Ka falimentuar.
E pra koha, kjo tirane e pamëshirshme foli! Ajo na tregoi që Ismaili, charteri privat i Kryeministrit nuk la as Lasgushin, as Migjenin, as Naimin të vazhdonin fluturimet. Ndërsa imzot Noli nuk arriti të dalë në fluturim. Po koha kjo çmontuese e iluzioneve, na çon në mendje pa dashjen tonë, dyshimin e mbrapshtë që Air Albania ishte krijuar që “Ismaili” i Kryeministrit të fluturonte e këto katër “qyqarët” e qytetarëve të tjerë të përdoreshin vetëm si mbulesë propagande.
Koha duke përqeshur Kryeministrin na tregoi se fjalën e Kryeministrit “nuk e merr era”, por produkti i fjalës tij nuk është e mira publike.
Kryeministri kishte të drejtë që kërkonte t’ja linim kohës pasi koha është mësues i mirë, por ai harroi që fatkeqësisht ajo vret gjithë nxënësit e vet.
