
Bashkimi Evropian ka kërkuar zyrtarisht nga Shqipëria të kthejë më shumë se 33.5 milionë euro të programit IPARD 2, fonde të cilat janë konsideruar të shpërdoruara në mënyrë të parregullt gjatë periudhës 2020–2022. Hetimi i kryer nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) zbuloi 52 raste abuzimi, duke e renditur Shqipërinë si vendin me shkeljet më të larta në rajon — madje më të larta se Turqia.
BE: Shqipëria duhet të tregojë seriozitet maksimal
Në reagimin e Komisionit Evropian, i cituar nga A2CNN, kërkohet që qeveria shqiptare të ndërmarrë menjëherë masa korrigjuese dhe të zbatojë rekomandimet e auditimit të kryer nga kompania e jashtme e angazhuar nga qeveria:
“Çdo shumë e përdorur në mënyrë të parregullt duhet të kthehet në buxhetin e BE-së. Duke qenë se fondet janë të taksapaguesve të BE-së, Komisioni pret seriozitet maksimal nga autoritetet shqiptare.”
Në thelb, BE-ja po i kërkon Tiranës të pastrojë procesin, të garantojë kontroll të brendshëm dhe të rikthejë besimin e institucioneve evropiane.
Rrezikohen edhe fondet IPARD 3 – 146 milionë euro në pezull
Skandali nuk prek vetëm IPARD 2. Tashmë, pezull janë dhe fondet e programit IPARD 3, me një vlerë totale prej 146 milionë eurosh, nga të cilat 112 milionë janë financim i drejtpërdrejtë europian. Nëse Shqipëria nuk vepron me shpejtësi:
- nuk do të marrë fondet IPARD për vitet në vijim;
- mund të humbasë të gjithë buxhetin deri në skadimin e tyre në 2027.
Aktualisht po zhvillohet një procedurë dypalëshe Shqipëri–BE, që synon vendosjen e masave korrigjuese sa më shpejt.
SPAK heton abuzimet me fondet europiane
Paralelisht me Brukselin, SPAK po heton dosjen e abuzimeve me fondet IPARD, pas sinjaleve për keqpërdorim sistematik, konflikt interesi, tenderime të manipuluara dhe projekte fiktive. Ky hetim pritet të përcaktojë përgjegjësitë individuale në administratë dhe tek përfituesit e projekteve.
Skandali i IPARD është shndërruar në një provë të integritetit të institucioneve shqiptare dhe një test kyç për besueshmërinë e vendit në procesin e integrimit europian.
