Caktohet Gjykatësja e Apelit Për Ankimimin e Belinda Ballukut

0

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është hedhur shorti që përcaktoi gjyqtaren Miliana Muça si trupe gjykuese monokratike për shqyrtimin e ankesës së depozituar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku. Ankesa lidhet me masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, të vendosura në kuadër të hetimit të SPAK.

Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe dy drejtorët e arrestuar në masën e arrestit shtëpiak, Erald Elezi dhe Gentian Gjyli, të cilët po ashtu kanë kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për masat e sigurimit personal.

Në njoftimin zyrtar të gjykatës thuhet se është regjistruar çështja penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025, me objekt ankimet ndaj dy vendimeve të Shkallës së Parë, të datave 19 dhe 22 nëntor 2025. Sipas shortit, gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë kërkesën e Ballukut për heqjen e ndalimit të udhëtimit jashtë vendit dhe përfundimin e pezullimit nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Seanca në Apel pritet të jetë një nga zhvillimet kyçe të ditëve në vijim, pasi vendimi i gjykatës do të përcaktojë nëse Balluku mund të rikthehet në funksionet qeveritare ndërkohë që hetimet për dosjen e korrupsionit vijojnë. Për momentin, masat ndaj saj mbeten në fuqi.

Artikulli i mëparshëmSKANDAL/ Gazetari Osman Stafa Kërcënohet Me Vdekje Pas Denoncimeve Për Onkologjikun