SKANDAL/ Gazetari Osman Stafa Kërcënohet Me Vdekje Pas Denoncimeve Për Onkologjikun

0

Gazetari i News24, Osman Stafa, është kërcënuar me jetë pas publikimit të një serie denoncimesh mbi mungesat e barnave, pajisjeve dhe abuzimet e rënda në Spitalin Onkologjik. Mesazhi kërcënues, i ardhur nga një adresë anonime në rrjetet sociale, përdorte gjuhë fyese dhe i kërkonte Stafës të mos shfaqej më në ambientet e Onkologjikut dhe të ndalte raportimet e tij mbi korrupsionin në këtë institucion jetik.

Menjëherë pas marrjes së kërcënimit, gazetari ka depozituar kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke e kategorizuar rastin si “kërcënim për shkak të detyrës”. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që qëndron pas adresës anonime, ndërsa po shqyrtohen motivet dhe lidhjet e mundshme të tij me çështjet e trajtuara në investigime.

Pavarësisht presioneve, Osman Stafa ka deklaruar publikisht se nuk do të tërhiqet nga puna e tij dhe se çdo tentativë për ta frikësuar nuk bën gjë tjetër veçse e forcon vendosmërinë për të ekspozuar abuzimet që rëndojnë mbi pacientët me sëmundje tumorale.

Prej vitesh, Stafa ka raportuar rregullisht për problemet e thella të sistemit onkologjik në vend, përfshirë mungesën e brakiterapisë për pacientet me tumore gjinekologjike, mungesën e PET-scanit, mungesat e vazhdueshme të ilaçeve të kimioterapisë dhe raste serioze të abuzimit nga personeli mjekësor, si trafiku i biopsive drejt laboratorëve privatë.

Kërcënimi ndaj tij ngre edhe një herë shqetësimin e madh për sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, sidomos atyre që hetojnë sektorë të brishtë si shëndetësia, ku preken jetë dhe ku interesat ekonomike dhe korruptive janë të mëdha.

Artikulli i mëparshëmQytetarët Në Bullgari Rrëzojnë Qeverinë Me Protesta Masive
Artikulli i radhësCaktohet Gjykatësja e Apelit Për Ankimimin e Belinda Ballukut