Video/ Sulmi Terrorist Në Sydney, Një Qytetar Çarmatos Njërin Nga Autorët Gjatë Të Shtënave

0

Një sulm i rëndë me armë ka ndodhur në Sydney, pranë zonës së njohur turistike Bondi Beach, ku një qytetar arriti të çarmatoste njërin nga autorët e krimit gjatë momentit kur po qëllohej me armë zjarri, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes, sipas mediave australiane.

Sipas raportimeve, një nga autorët hapi zjarr pranë parkingut në Campbell Parade, duke shkaktuar panik mes qytetarëve. Në pamjet video të publikuara, shihet një burrë i veshur me pantallona të zeza dhe këmishë të bardhë, i cili përdor automjetet e parkuara si mbulesë dhe i afrohet autorit të armatosur ndërsa të shtënat vijonin.

Në momentin kur i afrohet në distancë të afërt, qytetari sulmon autorin, e rrëzon përtokë dhe përfshihet në një përleshje fizike, duke arritur t’i marrë armën dhe ta neutralizojë. Më pas, duke e drejtuar armën nga autori, e detyron atë të tërhiqet drejt një ure aty pranë, ku dyshohet se ndodhej edhe një bashkëpunëtor i dytë.

Sipas përshkrimit të mediave lokale, qytetari e mbështeti armën në një pemë dhe u largua nga vendngjarja, ndërsa një person tjetër ndoqi autorin që po largohej dhe i hodhi një objekt.

Autoritetet australiane konfirmuan se njëri nga autorët është arrestuar dhe ndodhet në gjendje kritike shëndetësore, ndërsa autori i dytë është vrarë nga zjarri i policisë. Sipas raportimeve paraprake, të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur. Mes viktimave raportohet se ndodhet edhe një rabin.

Ende nuk është e qartë numri i saktë i kalimtarëve të plagosur, ndërsa autoritetet konfirmojnë se dy oficerë policie dhe një fëmijë janë mes të lënduarve.

Policia e Uellsit të Ri Jugor njoftoi se situata u trajtua si një incident në zhvillim e sipër dhe u bëri thirrje qytetarëve të evakuoheshin menjëherë nga zona. Sipas radios lokale, janë dëgjuar deri në 20 të shtëna, ndërsa një dëshmitar okular ka deklaruar se ka parë “të paktën dhjetë persona të shtrirë në tokë dhe gjak kudo”.

Hetimet për rrethanat dhe motivet e sulmit vijojnë nga autoritetet australiane.

Artikulli i mëparshëm“Patllakja” Që Mbulon Pyetjen Thelbësore: Pse Shkoi BKH Në Kryeministri?
Artikulli i radhësAUSTRALI/ Sulm Terrorist Në Bondi Beach: Video E Plotë E Masakrës Që Zgjati Mbi Dhjetë Minuta