
Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për një vjedhje me dhunë ndaj shitësit të një biznesi në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”.
Sipas njoftimit zyrtar, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shitësit të një biznesi të llojit tabachino dhe i kanë marrë me forcë një shumë prej 100 mijë lekësh të rinj, para që përbënin xhiron ditore të aktivitetit.
Pas njoftimit të marrë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë organizuar menjëherë veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Reaction”, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit M. A., 33 vjeç.
Gjatë operacionit për kapjen e tij, në rrugën “Sabaudin Gabrani”, 33-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe dy shtetasit e tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje: E. H., 35 vjeç dhe G. L., 34 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se tre shtetasit kanë vepruar në bashkëpunim, duke e dhunuar fizikisht shitësin dhe duke i marrë shumën e parave me forcë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.
