
Në shqip, fjala kos ka një kuptim të qartë: një produkt i thartuar, i bardhë, që shërbehet zakonisht për të shuar vapën. Në Bruksel, Kos ka një funksion tjetër: të freskojë propagandën politike të një qeverie që, në terren, po sheh si i bien një nga një figurat kyçe.
Ndërsa zëvendëskryeministrja e Shqipërisë përballet me procedura penale për korrupsion, ndërsa drejtori i AKSHI-t Karçanaj arrestohet për grup të strukturuar kriminal në fushën e tenderëve me miliona euro, dhe ndërsa dosjet e SPAK-ut zgjerohen në zemër të administratës së Edi Ramës, nga Brukseli vjen një deklaratë që tingëllon si shaka e hidhur: hapja e kapitujve është “provë e lidershipit të qeverisë Rama”.
Në realitet, provat që po dalin nga hetimet nuk flasin për lidership, por për një sistem të ndërtuar mbi kapje, klientelizëm dhe abuzim industrial me fondet publike. Dhe pikërisht këtu lind ironia: ndërsa në Shqipëri arrestohen njerëzit që menaxhojnë paratë, teknologjinë dhe tenderët e shtetit, në Evropë gjejnë kohë të duartrokasin dirigjentin e orkestrës.
SPAK-u po godet aty ku deri dje konsiderohej zonë e ndaluar. AKSHI, institucioni nerv qendror i digjitalizimit dhe tenderëve, rezulton i përfshirë në skema që nuk kanë asgjë dixhitale, por gjithçka mafioze. Zëvendëskryeministrja, figurë kyçe e qeverisë, nuk është më thjesht emër në kabinet, por subjekt hetimi. Këto nuk janë detaje periferike; janë shtyllat e pushtetit ekzekutiv.
Dhe pikërisht në këtë moment, Komisionerja Kos zgjedh të flasë për “merita qeveritare”. Një deklaratë që, në kontekstin shqiptar, tingëllon si të lavdërosh kapitenin ndërsa anija po merr ujë nga çdo anë. Jo sepse drejtësia po vepron, por sepse po vepron pavarësisht qeverisë, jo falë saj.
Administrata Trump, në raportet dhe vlerësimet e saj të fundit, ka qenë brutalisht e drejtpërdrejtë: Evropa po kalon një krizë serioze drejtimi, ku burokratë të shkëputur nga realiteti politik shpërndajnë vlerësime sterile, ndërsa në terren shtetet anëtare dhe kandidate përballen me korrupsion sistemik. Rasti shqiptar është ilustrimi perfekt i kësaj shkëputjeje.
Sepse nëse arrestimi i zëvendëskryeministres, goditja e AKSHI-t dhe hetimet për grupe të strukturuara kriminale në zemër të shtetit quhen “sukses i lidershipit”, atëherë kemi një problem serioz përkufizimi. Ose lidershipi matet me pranga, ose lavdërimet janë thjesht kos i holluar për konsum diplomatik.
Në fund, ironia është e thjeshtë dhe e pamëshirshme: SPAK po e çon Shqipërinë më afër BE-së duke arrestuar njerëzit e qeverisë, ndërsa BE po e largon veten nga realiteti duke lavdëruar po atë qeveri. Dhe mes këtyre dy botëve, qytetarët shqiptarë nuk hanë dot më kos me propagandë.
