Lëvizja Bashkë Proteston Para Kuvendit Kundër Ramës Dhe Ballukut

0

Lëvizja Bashkë ka zhvilluar sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim nga SPAK për afera miliona euroshe të lidhura me tendera publikë.

Protestuesit e pranishëm denoncuan atë që e cilësuan si standard të dyfishtë të shtetit, ku qytetarët e thjeshtë ndëshkohen rëndë për shkelje minimale, ndërsa zyrtarët e lartë të pushtetit mbrohen pavarësisht akuzave të rënda.
“Nëse dikush në fshat ndërton një mur pa leje shkon në burg, por nëse i vjedh popullit më të varfër në Europë, jo vetëm nuk shkon në burg, por mbrohesh nga numri 1 i pushtetit”, u shpreh një nga protestuesit para Kuvendit.

Gjatë protestës u mbajtën pankarta me mesazhe të forta politike dhe sociale, ku kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku akuzoheshin për grabitje të fondeve publike dhe mbrojtje të oligarkëve. Mes sloganeve të shfaqura ishin: “Gjenerali i ushtrisë së burgosur”, “Rama dhe Balluku na vodhën festat”, “Populli mbjell, oligarku korr” dhe “Kush mbjell uri, korr revoltë”.

Lëvizja Bashkë e vendosi theksin te hetimi i nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Belinda Ballukut, e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera dhe për përfshirje në afera të mëdha infrastrukturore. Sipas protestuesve, ky hetim përfaqëson vetëm majën e një skeme më të gjerë abuzimi me fondet publike.

Po ashtu, u kujtua se SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut, hap i cili, sipas ligjit, do t’i hapte rrugë masave më të ashpra të sigurisë, përfshirë edhe arrestimin. Protestuesit kërkuan që Kuvendi të mos shndërrohet në mburojë politike për zyrtarët e akuzuar dhe të mos pengojë drejtësinë.

Protesta e sotme para Kuvendit vjen në një klimë të tensionuar politike, me akuza të shumta për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë dhe me presion në rritje ndaj institucioneve për të vepruar pa ndikim politik. Lëvizja Bashkë paralajmëroi se aksionet e saj do të vijojnë, duke e konsideruar protestën si mjet presioni qytetar kundër, sipas tyre, pandëshkueshmërisë së pushtetit.

Artikulli i mëparshëmApeli I GJKKO Lë Në Fuqi Ndalimin E Daljes Jashtë Vendit Për Belinda Ballukun, Pezullohet Vendimi Për Detyrën
Artikulli i radhësBerisha Largon Salianjin Nga Drejtimi Politik I “Kombinatit”