Berisha Nga Kurbini: Balluku Ka 300 Apartamente Me Paratë Tuaja

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar foltoren e radhës në Kurbin, ku fokusi kryesor i fjalës së tij ishte zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe pasuria e saj, sipas të dhënave që, siç tha ai, kanë dalë nga hetimet.

Gjatë fjalimit, Berisha deklaroi se në dosjen e parë të hetuar për Ballukun rezulton se ajo disponon rreth 300 apartamente, një fakt që, sipas tij, ka qenë i panjohur për publikun.

Në dosje e parë u hetua për zv/kryeministren dhe në hetimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. Askush nuk e dinte se ajo dispononte aq apartamente. Me taksat tuaja, paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me ilaçet e të sëmurëve tuaj dhe kafshatat tuaja, kishte siguruar për vete 300 apartamente”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se kjo, sipas tij, nuk është lista e plotë e pasurisë dhe paralajmëroi se do të dalin të tjera të dhëna në vijim. Në fjalën e tij, Berisha solli edhe shembuj të tjerë që i cilësoi si simbol të luksit të pajustifikuar dhe të pasurive të përfituara nga korrupsioni.

“Kemi dëgjuar për diktatorë, për hajdutë, për bizhuteri dhe diamante, por vetëm për njërin prej tyre, Gys Agasin, një kriminel kishte në vinotekën e tij shishe vere që nuk i ka as perandori i Japonisë, 33 mijë euro shishja, të gjitha me paratë tuaja”, u shpreh ai.

Berisha e përshkroi Gys Agasin si koordinator të karteleve të drogës dhe si një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, duke pretenduar se ai luante rol kyç në organizimin e takimeve elektorale dhe ndikimin kriminal në zgjedhje.

Në vijim, kreu i PD-së u rikthye te Balluku, duke deklaruar se ajo disponon dy jahte luksoze, ndërsa e përshkroi të kaluarën e saj si “ish-babysitter dhe më pas punonjëse bashkie”.

“Tani me dy jahte. S’keni parë gjë akoma se çfarë fshehin në kutitë dhe kasafortat e luksit dhe superluksit”, tha Berisha.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha theksoi se vendi ndodhet në një moment kritik politik, por sipas tij opozita është më e përgatitur se kurrë për përballje.

Ne përmbysëm një diktaturë dhe do përmbysim edhe këtë, në mënyrën më të fuqishme, më të vendosur dhe më shpejt”, përfundoi Berisha.

Artikulli i mëparshëmMinistri i Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për gjyqtarin Ilir Përdeda