Ministri i Drejtësisë kërkon hetim disiplinor për gjyqtarin Ilir Përdeda

0

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i ka kërkuar zyrtarisht Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Ilir Përdeda, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Në shkresën e firmosur nga ministri argumentohet se gjyqtari ka kryer shkelje të rënda procedurale, konkretisht moszbardhjen e vendimit të arsyetuar për rreth një vit, duke penguar në këtë mënyrë palët në proces, në rastin konkret ankuesin, që të realizojnë një ankim efektiv ndaj vendimit gjyqësor.

Sipas dokumentit, mungesa e vendimit të arsyetuar përbën një vonesë të konsiderueshme dhe cenon seriozisht të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Pa pasur në dispozicion arsyetimin e gjykatës, palët nuk janë në gjendje të njohin argumentet mbi të cilat është mbështetur rrëzimi i pretendimeve të tyre, duke e bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës së ankimit.

Vendimi gjyqësor është marrë më 18 dhjetor 2024, ndërsa deri më 10 dhjetor 2025 nuk është depozituar ende në kryesekretarinë e gjykatës, për t’u komunikuar palëve në proces.

Nga hetimi administrativ i kryer nga Ministria e Drejtësisë, përmes informacionit të marrë nga kancelaria e gjykatës, rezulton se dosja gjyqësore nuk është dorëzuar ende nga gjyqtari Ilir Përdeda, çka ka bllokuar vijimin e procedurave ligjore. Kjo krijon një diferencë kohore prej rreth një viti nga shpallja e vendimit përfundimtar deri në momentin e verifikimit.

Palët paditëse në këtë gjyq civil janë Fran Bushpepa dhe Marte Bushpepa, ndërsa të paditur janë Drane Përlleshi, Anton Pjetri, Xhuana Pjetri dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, kjo shkelje pamundëson dhënien e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm kohor dhe përbën cenim të rëndë të parimit të procesit të rregullt ligjor. Për këtë arsye, ai vlerëson se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Ilir Përdeda për shkelje të nenit 308 të Kodit të Procedurës Civile.

Artikulli i mëparshëmSHBA Shtrëngon Rrethin Në Ballkan: Sanksione Për Korrupsion, Bllokim Pasurish Dhe Ndalim Vizash Për Destabilizuesit
Artikulli i radhësBerisha Nga Kurbini: Balluku Ka 300 Apartamente Me Paratë Tuaja