Edhe Zyrtarisht Ka Filluar Kryqëzata Kundër Drejtësisë

0

Sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj sistemit të drejtësisë kanë hyrë tashmë në një fazë të re, më të hapur dhe më agresive. Në podkastin “Flasim”, Rama nuk u mjaftua me kritika të përgjithshme apo shqetësime formale, por ndërtoi një narrativë të plotë kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i portretizuar si abuzues të pushtetit, të pangopur për paga dhe përgjegjës për një “brutalitet” institucional që, sipas tij, po dëmton shoqërinë.

Gjuha e përdorur nuk ishte as diplomatike dhe as rastësore. Shprehja “vetë Ali, vetë Kadi”, e përdorur nga kreu i qeverisë, synon të delegjitimojë në thelb pavarësinë e gjyqësorit, duke e paraqitur atë si një pushtet arbitrar që vepron pa kontroll dhe pa ndjeshmëri ndaj të drejtave të njeriut. Kjo retorikë vjen pikërisht në momentin kur drejtësia e re ka prekur drejtpërdrejt rrethin politik të pushtetit, përfshirë pezullimin e një anëtareje të qeverisë dhe hetime të ndjeshme ndaj zyrtarëve të lartë.

Rama i referohet një raporti të Këshillit të Europës mbi përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si “rekord negativ absolut”. Në vetvete, raporti ngre problematika reale: përdorimin e tepruar të paraburgimit, mungesën e arsyetimit të individualizuar në vendimet gjyqësore, neglizhimin e masave alternative dhe dobësitë në garantimin e të drejtës së mbrojtjes. Por mënyra se si këto gjetje përdoren politikisht është ajo që e bën situatën shqetësuese.

Në vend që raporti të shërbejë si bazë për reflektim institucional dhe përmirësim të sistemit, ai shndërrohet në armë politike kundër drejtësisë. Kryeministri shmang një fakt thelbësor: kjo është drejtësia që ai vetë e ndërtoi, e mbrojti dhe e shiti si sukses historik para shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sot, kur kjo drejtësi nuk sillet më sipas interesave të pushtetit, ajo etiketohen si e dhunshme, e padrejtë dhe e rrezikshme.

Edhe më domethënës është fakti që Rama lidh në të njëjtën fjali pezullimin e një ministre, paraburgimet dhe kërkesat e magjistratëve për rritje pagash, duke krijuar një perceptim publik sikur drejtësia është një kastë e etur për privilegje dhe represion. Kjo është një strategji klasike politike: goditja e besimit të publikut te një institucion i pavarur për ta dobësuar atë dhe për ta vënë nën presion.

Në thelb, kjo nuk është më një debat mbi standardet e paraburgimit apo cilësinë e arsyetimit gjyqësor. Është një konflikt i hapur pushtetesh. Një drejtësi që fillon të veprojë pa marrë leje politike përballet me reagimin e një pushteti ekzekutiv që nuk është mësuar me kufij realë.

Kryqëzata verbale e Ramës kundër drejtësisë sinjalizon se raporti mes politikës dhe sistemit gjyqësor ka hyrë në një fazë përplasjeje. Pyetja që mbetet nuk është nëse drejtësia ka probleme – ato janë reale dhe të dokumentuara – por nëse këto probleme do të adresohen për të forcuar shtetin e së drejtës, apo do të përdoren si justifikim për ta nënshtruar atë.

Në një vend me institucione të brishta dhe me histori të gjatë presioni politik mbi gjyqësorin, kjo linjë sulmi nuk është thjesht retorikë. Ajo është paralajmërim. Dhe paralajmërimi është i qartë: kur drejtësia prek pushtetin, pushteti përgjigjet.

Artikulli i mëparshëmSkandali I Radhës Që Zbulon Shtetin Në Shërbim Të Grupit Kriminal