
Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho. Ky moment shënon fundin e mandatit të Dumanit, i cili përfundoi më 18 dhjetor, dhe nisjen e një faze të re për institucionin që ka qenë në qendër të vëmendjes publike për hetimet e nivelit të lartë.
Në fjalën e tij të largimit, Altin Dumani e cilësoi drejtimin e SPAK si një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij profesionale. Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe institucioni është përballur me vendime të vështira dhe presione të forta, por ka punuar me integritet dhe profesionalizëm, duke forcuar besimin publik.
“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit e jetës sime profesionale. Ka qenë njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi. Jemi përballur me vendime të vështira dhe presione, por kemi punuar me integritet dhe profesionalizëm. SPAK sot është më i fortë dhe më i besueshëm se më parë,” u shpreh Dumani, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe publikun shqiptar për besimin e treguar.
Pas dorëzimit të detyrës, Klodian Braho foli për herë të parë si drejtues i ri i SPAK. Ai vlerësoi punën e paraardhësve të tij, Altin Dumani dhe Arben Kraja, duke theksuar se do të vijojë në të njëjtën linjë të forcimit të institucionit dhe zbatimit të ligjit.
“Në ushtrimin e detyrës sime, fokusi kryesor do të mbetet funksionimi i brendshëm dhe zbatimi i ligjit. Hetimi financiar dhe puna e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë shtylla thelbësore të SPAK. Misioni ynë shkon përtej mandateve personale dhe lidhet drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve dhe zbatimin e Kushtetutës,” deklaroi Braho.
Klodian Braho është zgjedhur drejtues i SPAK me 7 vota nga 11 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007 dhe njihet si një nga prokurorët e çështjeve më të ndjeshme, përfshirë hetimet për inceneratorin e Elbasanit, dosjen “5D”, “Toyota Auris” dhe çështjen e Gërdecit ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu.
Kalimi i drejtimit në SPAK vjen në një moment të rëndësishëm për reformën në drejtësi, ndërsa pritshmëritë publike mbeten të larta për vijimin e hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me Braho në krye, SPAK pritet të vazhdojë misionin e tij përtej emrave dhe mandateve, si një institucion kyç në sistemin e drejtësisë shqiptare.
