
Pas përfundimit të fjalimit të kreut të Partisë Demokratike, , protesta e opozitës përpara Kryeministrisë ka degjeneruar në incidente të dhunshme. Disa qytetarë të pranishëm në tubim kanë hedhur molotovë në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar zjarr dhe tension të lartë në zonë.
Sipas informacioneve, gjatë hedhjes së molotovëve janë lënduar dy efektivë policie, të cilët ndodheshin në shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Gjendja e tyre shëndetësore nuk raportohet të jetë e rëndë, por ata kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Molotovët janë hedhur në mënyrë të përsëritur drejt derës kryesore të Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë të dukshme. Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, të cilat kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në ambientet përreth.


Ngjarja ka ndodhur pasi protestuesit kanë thyer kordonin metalik të vendosur para Kryeministrisë, duke kapërcyer masat e sigurisë të ndërmarra nga Policia e Shtetit. Situata ka qenë për disa minuta e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë përpjekur të rivendosin kontrollin dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Incidentet vijnë në një klimë të ndezur politike, pas fjalimeve të ashpra të mbajtura gjatë protestës, ku u artikuluan akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Autoritetet pritet të reagojnë me masa ligjore lidhur me ngjarjen dhe identifikimin e personave përgjegjës për aktet e dhunës.
