Nepotizëm Me Firmë Të Ramës, Dy Kushërinj Në Të Njëjtën Ministri

0

Çuditë në qeverisjen shqiptare duket se nuk kanë fund. Një emërim i fundit, i firmosur drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, ka rikthyer fuqishëm në qendër të debatit publik akuzat për nepotizëm në nivelet më të larta të pushtetit, duke rrëzuar në praktikë deklaratat e bëra vetëm pak ditë më parë për krijimin e një komisioni etike që, sipas Ramës, do të parandalonte pikërisht këto fenomene.

Bëhet fjalë për emërimin e Andrea Shllakut si zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të Kryeministrit. Shllaku është emëruar zëvendës i ministrit Pirro Vengu, por ky vendim ka ngritur pikëpyetje serioze dhe akuza të forta publike, pasi sipas informacioneve të publikuara dhe verifikimeve të thjeshta, Pirro Vengu dhe Andrea Shllaku rezultojnë të jenë kushërinj të afërt, çuna tezesh.

Ky fakt ka nxitur reagime të ashpra, pasi nepotizmi nuk shfaqet më vetëm në nivelet e ulëta të administratës publike, por shkon drejtpërdrejt në majën e pushtetit, duke u institucionalizuar përmes vendimeve zyrtare të qeverisë. Kritikat theksojnë se kjo praktikë bie ndesh me parimet e meritokracisë, transparencës dhe etikës publike, të cilat qeveria i ka përdorur vazhdimisht si pjesë të retorikës së saj.

Sipas të dhënave mediatike, kjo nuk është hera e parë që Pirro Vengu bashkëpunon ngushtë me Andrea Shllakun. Më herët, gjatë kohës kur Vengu mbante postin e drejtorit të Portit të Durrësit, Shllaku është emëruar drejtor operacional, duke ndjekur të njëjtin zinxhir besimi dhe varësie institucionale. Tashmë, kjo marrëdhënie është zhvendosur në një prej dikastereve më të ndjeshme të shtetit shqiptar, Ministrinë e Mbrojtjes.

Emërimi i një familjari të afërt në një pozicion kyç vendimmarrjeje ka forcuar bindjen e kritikëve se nepotizmi është shndërruar në praktikë të hapur dhe të legalizuar, me firmën e Kryeministrit. Ky vendim vjen në një moment kur qeveria ndodhet nën presion të fortë politik dhe publik për çështje të korrupsionit, hetimet e SPAK dhe akuzat për kapje të institucioneve.

Në këtë kontekst, emërimi i Andrea Shllakut shihet jo vetëm si një akt nepotizmi, por edhe si një sinjal politik që standardet e shpallura për etikën dhe transparencën mbeten deklarative, ndërsa vendimmarrja reale vazhdon të udhëhiqet nga lidhjet familjare dhe besnikëria personale.

Artikulli i mëparshëmHetimet Për Veliajn, SPAK Zgjeron Kontrollet Në Bizneset E Të Vëllait
Artikulli i radhësShkullaku: Akuza Të Rënda Për Kapje Mafioze Të Shtetit