Legalizuan Kompleksin Pa Leje Në Ranën E Hedhur, Apeli Ashpërson Masat Për Pesë Zyrtarë

0

Gjykata e Apelit ka ashpërsuar masat e sigurisë për disa zyrtarë të përfshirë në çështjen e ndërtimeve pa leje dhe legalizimeve të dyshimta në zonën turistike të Ranës së Hedhur, në Shëngjin, duke rrëzuar pjesërisht vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lezhës.

Sipas vendimit të Apelit, ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Gentian Malotaj, si dhe ish-drejtuesit e sektorit të legalizimeve, Artmir Maxhuni dhe Artur Shabaku, do të qëndrojnë në arrest me burg, për shkak të dyshimeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë, për inxhinierët Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët fillimisht ishin lënë me masa më të lehta sigurie, Apeli ka vendosur arrest shtëpie, pasi ata dyshohen për “Falsifikim dokumentesh” në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

Për ish-drejtuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, Flori Gjini dhe Kol Malaj, mbetet në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, ndërsa Pjetër Tuçi, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”, do të qëndrojë gjithashtu në arrest shtëpie.

Ashpërsimi i masave u kërkua nga prokurorja e çështjes, Iva Harka, e cila ankimoi vendimin fillestar, duke argumentuar se masat e mëparshme nuk ishin në përpjesëtim me rrezikshmërinë e veprave penale dhe rolin e të dyshuarve.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Lezhës, në kuadër të procedimit penal nr. 135/2025, personat e përfshirë dyshohet se kanë kryer ndërtime pa leje në zonën e Ranës së Hedhur dhe më pas i kanë legalizuar ato në mënyrë të kundraligjshme, duke shkelur hapur legjislacionin urbanistik dhe procedurat administrative.

Në kuadër të hetimit, katër objekte janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa prokuroria vijon punën për të dokumentuar raste të tjera të ndërtimeve të jashtëligjshme në këtë zonë me rëndësi të lartë turistike. Hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në këtë skemë abuzimi me pronën publike dhe territorin.

Artikulli i mëparshëmFilmimet E Fshehta Tërmet Politik: Drejtoresha E AKSHI-t Kapet Në Zyrën E Ergys Agasit
Artikulli i radhësPS Heq Dorë Nga Ndëshkimi Për 19 Deputetë, Masa Vetëm Për 10 Ligjvënës