
Publikimi i fundit i dokumenteve të lidhura me çështjen Jeffrey Epstein ka rikthyer në vëmendjen publike një sërë figurash të njohura nga politika, biznesi, argëtimi dhe bota akademike. Dokumentet janë bërë publike më 19 dhjetor nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe i shtohen materialeve të mëparshme që lidhen me rrjetin e ish-të dënuarit për krime seksuale.
Autoritetet amerikane kanë sqaruar se përmendja e emrave apo shfaqja e fotografive në këto dosje nuk përbën automatikisht provë për përfshirje kriminale. Sipas tyre, dokumentet reflektojnë marrëdhënie shoqërore ose profesionale mes Epstein dhe figurave publike, pa nënkuptuar domosdoshmërisht shkelje ligjore.
Ndër emrat më të njohur që shfaqen në dokumente është ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili paraqitet në disa fotografi përkrah Epstein dhe ish-bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell, tashmë e dënuar për trafikim seksual. Disa nga imazhet janë realizuar në ambiente shoqërore dhe përfshijnë gra me fytyra të mbuluara.
Në dokumente përmendet edhe biznesmeni Richard Branson, ndërsa në botën e muzikës shfaqen emra si Mick Jagger, këngëtari i grupit The Rolling Stones, dhe Michael Jackson. Sipas email-eve të publikuara, Epstein i referohej Jagger-it si një kontakt i rëndësishëm, duke sugjeruar se ai mund ta ketë ndihmuar të krijonte lidhje në rrethet e argëtimit.
Në industrinë e filmit, dokumentet përfshijnë fotografi ku regjisori Woody Allen shihet duke biseduar dhe duke darkuar me Epstein. Po ashtu, në dosje përmendet edhe aktori Kevin Spacey, emri i të cilit figuron në materialet e publikuara.
Sfera akademike përfaqësohet nga gjuhëtari dhe filozofi Noam Chomsky, i cili përmendet për pjesëmarrjen e tij në takime dhe diskutime akademike ku ishte i pranishëm edhe Epstein.
Në reagim ndaj publikimit të dokumenteve, një zëdhënës i Bill Clinton ka mbrojtur ish-presidentin. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Angel Ureña theksoi se këto materiale nuk provojnë asnjë përfshirje të Clinton në veprimtari kriminale dhe se ish-presidenti e kishte ndërprerë kontaktin me Epstein shumë kohë përpara se krimet e tij të bëheshin publike.
“Shtëpia e Bardhë nuk i ka mbajtur të fshehura këto dosje për të mbrojtur Bill Clinton. Publikimi i fotografive të paqarta, 20-vjeçare, nuk ndryshon faktin se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me krimet e Epstein,” thuhet në deklaratë.
Një tjetër zë i rëndësishëm është ai i Maria Farmer, gruaja e parë që paraqiti kallëzim penal kundër Epstein në vitin 1996. Ajo deklaroi se kishte pritur për dekada që këto dokumente të bëheshin publike dhe akuzoi FBI-në se e kishte injoruar gjatë një prej periudhave më traumatike të jetës së saj.
Sipas Farmer, publikimi i dokumenteve përbën një hap të rëndësishëm për të mbijetuarit dhe një moment kyç për të mbajtur qeverinë amerikane përgjegjëse për dështimin e saj në zbatimin e ligjit, një dështim që ajo e cilësoi ndër më të rëndët në historinë e Shteteve të Bashkuara.
