
Prokuroria në Gjirokastër ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, të cilat rezultojnë të përftuara nga burime të paligjshme dhe ishin në pronësi të . Vendimi është marrë në kuadër të një hetimi pasuror të nisur që në vitin 2019, pas verifikimeve të detajuara financiare dhe pasurore.
Sipas Prokurorisë, pasuritë e konfiskuara përfshijnë 6 troje, 3 magazina, një karburant, lokale, banesa si dhe objekte të tjera të shpërndara në disa zona të qarkut të Gjirokastrës. Hetimi ka konkluduar se këto pasuri nuk justifikohen nga burime të ligjshme të të ardhurave.
Dasho Aliko është aktualisht anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike në Gjirokastër, ndërsa më herët ka mbajtur funksionin e kryetarit të komunës së Lazaratit, një zonë që prej vitesh ka qenë në fokus të institucioneve ligjzbatuese për problematika të ndryshme ligjore dhe ekonomike.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër bën me dije se konfiskimi është kryer pasi pasuritë “nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme”. Vendimi përfshin një listë të detajuar pronash, mes të cilave truall në qytetin e Gjirokastrës, prona në Lazarat, Grehot, Arshi Lengo dhe Kordhocë, si dhe objekte biznesi si karburant, magazina dhe ndërtesa zyrash.
Sipas organit të akuzës, procedimi është kryer në zbatim të Ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Prokuroria e Gjirokastrës ka theksuar se do të vijojë me prioritet hetimet pasurore, duke synuar sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si pjesë e luftës kundër pasurimit të pajustifikuar dhe korrupsionit.
