
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona, të akuzuar për mashtrime ndaj shtetasve të huaj përmes investimeve të rreme në bursën Forex, të realizuara në formën e një call center-i të mirëorganizuar.
Hetimet nisën në vitin 2023, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga , lidhur me subjekte të licencuara dhe të palicencuara që ushtronin veprimtari të dyshimtë në fushën e Forex-it. Nga verifikimet rezultoi se shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R. dhe L.Sh. kishin ndërtuar një skemë mashtruese në ambientet e shoqërisë , duke kontaktuar shtetas të huaj dhe duke i bindur të investonin shuma të konsiderueshme parash.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit vepronin në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin, duke ndarë role të caktuara në funksionimin e mekanizmit të mashtrimit. Skema ishte e drejtuar kryesisht ndaj shtetasve italianë, mes tyre L.C. dhe S.S., të cilëve u premtoheshin fitime të larta përmes investimeve të supozuara në tregun Forex.
Nga këqyrja e telefonave të sekuestruar dhe e aplikacionit WhatsApp, u konstatuan biseda ku viktimave u kërkoheshin shuma të ndryshme monetare, si dhe dokumente personale, përfshirë foto të kartave të identitetit. Në një nga rastet, shtetasi i regjistruar si L.C. ka kryer një transfertë prej 8,700 euro, pas nënshkrimit të një kontrate që parashikonte një investim deri në 100,000 euro, ndërsa më pas i është kërkuar edhe një pagesë shtesë prej 3,500 euro, e justifikuar si penalitet.
Hetimet tregojnë se veprimtaria mashtruese është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror, pa asnjë synim real për kthimin e shumave të marra. Prokuroria thekson se i njëjti mekanizëm mashtrimi është përdorur në mënyrë të përsëritur ndaj viktimave të ndryshme.
Në strukturën e skemës, Gj.R. ka pasur rol aktiv në ndjekjen e klientëve dhe koordinimin e operatorëve, ndërsa L.Sh. ka ushtruar funksione drejtuese, duke dhënë udhëzime dhe duke organizuar punën e brendshme. E.A., si administrator ligjor i shoqërisë, akuzohet për mosmarrje masash për të parandaluar përdorimin e kompanisë për veprimtari të paligjshme. Ndërkohë, J.J. ishte përgjegjës për mbikëqyrjen teknike, ndërsa B.B. dhe K.D. rezultojnë se kishin dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit.
Prokuroria ka bërë me dije se nga ky procedim janë veçuar akte dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri penal për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja, lidhur me viktima të tjera të kësaj skeme.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, ndërsa çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata.
