1500 Euro Për “Vrasjen” Me Tritol Në Shkodër, Gjykata Lë Në Burg Katër Të Arrestuarit

0

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për katër persona të dyshuar për vrasjen e 67-vjeçarit Hysni Ymeri, i cili humbi jetën pas shpërthimit të një sasie tritoli të vendosur në panelin e matësve elektrikë.

Në burg është lënë Gert Bushati, i cili ka pranuar në polici se është personi që ka vendosur eksplozivin më 27 dhjetor, shpërthim që ndodhi dy ditë më pas dhe i mori jetën viktimës. Sipas deklarimeve të tij, Bushati është kontaktuar nga Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi, të cilët dyshohet se e kanë porositur për vendosjen e tritolit.

Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg” edhe për Gjergj Zefin, Ergys Ibrahimin dhe Edison Hasajn, të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasjen me tritol. Këta tre shtetas nuk e kanë pranuar akuzën në polici dhe as nuk kanë dhënë shpjegime në seancën gjyqësore, duke u përfaqësuar nga avokatët e tyre. Ata kanë mohuar çdo lidhje me ngjarjen dhe kanë deklaruar se nuk janë porositës të Gert Bushatit.

Pavarësisht mohimeve, Policia ka sekuestruar telefona celularë, ka administruar përgjime dhe një sërë provash të tjera, të cilat, sipas hetuesve, mund të implikojnë edhe tre të arrestuarit e tjerë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Në dëshminë e tij, Gert Bushati ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni se tritoli do të përdorej për të vrarë një person. Ai ka pretenduar se i ishte thënë se eksplozivi do të shërbente vetëm për të trembur dikë. “Kur mësova se kishte vdekur Hysni Ymeri, u tmerrrova. Nuk kam pasur dijeni se bëhej fjalë për vrasje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se roli i tij ka qenë vetëm vendosja e lëndës shpërthyese.

Sipas burimeve hetimore, një sasi eksplozivi ishte vendosur edhe më herët, por nuk kishte shpërthyer. Më 27 dhjetor, Bushati e ka vendosur sërish tritolin, i cili shpërtheu pas dy ditësh, duke shkaktuar vdekjen e Hysni Ymerit.

Hetimet vijojnë, ndërsa ende mbetet e paqartë arsyeja e vrasjes. Ndaj katër të arrestuarve rëndojnë akuzat “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” dhe “prishje e qetësisë publike”.

Artikulli i mëparshëmVlora Pesë Ditë Pa Ujë, Sekuestrohen Kamerat E Bizneseve Dhe Nisin Hetimet Nga Prokuroria
Artikulli i radhësZvicra Ngrin Llogaritë Bankare Të Maduros, Dyshohet Për 10 Miliardë Dollarë