“Bukë E Gjathë” Për Klientët, Ndalim Parkimi Për Banorët: Denoncimi Për Mrizin E Zanave Dhe Altin Prengën

0

Një denoncim i fortë ka mbërritur nga banorët e një rrugice në zonën e Bulevardit “Zogu i Parë”, ku prej vitesh ata parkonin automjetet e tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë problem. Sipas qytetarëve, gjithçka ka ndryshuar menjëherë pas hapjes së biznesit Mrizi i Zanave në Tiranë, në pronësi të biznesmenit Altin Prenga .

Sipas banorëve, pa asnjë konsultim, njoftim apo proces transparent, në rrugicën ku ata kanë parkuar “jetë e mot” është vendosur një tabelë “Ndalim Parkimi”, duke u mohuar atyre një të drejtë e fituar ndër vite.

“Asnjëherë nuk ka pasur tabelë ndalim parkimi”

Banorët theksojnë se në këtë rrugë nuk ka ekzistuar kurrë më parë një tabelë ndalimi, as në kohën kur aty funksiononin biznese të tjera. Asnjë prej tyre nuk ka kërkuar ndërhyrje në bashki për t’u marrë hapësirat e parkimit rezidentëve.

Sot, sipas denoncimit, karta e rezidentit është bërë e pavlefshme, ndërsa qytetarëve u thuhet në mënyrë të heshtur: “çojini makinat ku të doni”.

Dyshime për favorizim politik dhe ekonomik

Banorët ngrenë dyshime të forta se kjo ndërhyrje nuk është rastësore. Ata e lidhin vendosjen e tabelës me interesat e biznesit, pasi makinat e parkuara pengonin radhët e klientëve, të cilët qëndrojnë jashtë për të hyrë në restorant.

Sipas tyre, rrugica nuk është pedonale, por rrugë normale për qarkullim dhe parkim.

“Qytetarët nuk janë pengesë për fitimin e askujt”

Në denoncimin e tyre, banorët shprehen të indinjuar që interesi i një biznesi privat po vihet mbi të drejtat e komunitetit, ndërsa institucionet shihen si të njëanshme dhe të gatshme të ndërhyjnë kur bëhet fjalë për emra të njohur.

Ata theksojnë se rruga nuk mund të shndërrohet në korridor shërbimi për klientelë, duke i trajtuar banorët si të padukshëm në lagjen e tyre.

Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi barazinë para ligjit, përdorimin e hapësirës publike dhe marrëdhënien mes pushtetit vendor dhe bizneseve me ndikim, duke e kthyer një problem lokal në një çështje të interesit publik.

*Deri në momentin e publikimit, nuk ka pasur një reagim nga biznesi apo nga Bashkia e Tiranës lidhur me këtë shqetësim të banorëve.

Artikulli i mëparshëmQyteti Nën Ujë, Shteti I Zhdukur: Gjirokastra Në Pragun E Kaosit
Artikulli i radhësShiu Bën Kërdinë, Rama Tallet Me Shqiperinë