
Ndërsa mijëra qytetarë në disa qarqe të vendit po përballen me përmbytje, evakuime, shtëpi nën ujë dhe rrugë të pakalueshme, reagimi i kryeministrit ka zgjedhur një tjetër rrugë: ironinë.
Pamjet nga terreni flasin vetë. Banesa të përmbytura në Durrës, oborri i burgut nën ujë, rrugë të bllokuara në Gjirokastër, fshatra të izoluara në Kukës dhe familje që largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre. Një situatë reale emergjence, ku njerëzit presin reagim, praninë e shtetit dhe ndihmë konkrete.
Por nga zyra e Kryeministrisë, kreu i qeverisë zgjodhi talljen “alla shqiptare”. Në vend të një deklarate përgjegjësie apo një daljeje në terren, Rama krahasoi përmbytjet në Shqipëri me reshjet në vende të tjera të rajonit dhe Europës, duke ironizuar faktin se opozitat atje nuk fajësojnë qeveritë e tyre për shiun.

Mesazhi ishte i qartë: bie shi kudo, prandaj mos kërkoni përgjegjësi këtu.
Ky qëndrim, për shumë qytetarë, nuk është thjesht mungesë empatie, por përçmim i hapur. Sepse askush nuk e fajëson qeverinë për reshjet, por për kanalizimet e papastruara, urbanizimin pa plan, ndërtimet mbi përrenj, mungesën e mirëmbajtjes dhe reagimin e dobët institucional — pikërisht ato probleme që vetë Rama i denonconte me zë të lartë kur ishte në opozitë.
Atëherë, fajtor ishte pushteti. Sot, fajtore është natyra. Dhe kur uji hyn në shtëpi, qytetarëve u mbetet të dëgjojnë batuta nga Facebook-u i kryeministrit.
Ironia bëhet edhe më e hidhur kur kujton se në zonat më të prekura, si Durrësi, vota masive për Partinë Socialiste u shoqërua me premtime për investime “stratosferike” dhe transformim urban. Sot, realiteti është më tokësor: ujë, baltë dhe heshtje shtetërore.
Në Shqipërinë e përmbytur, qeverisja duket se është zhvendosur nga terreni në status, nga emergjenca te ironia. Ndërsa qytetarët përpiqen të shpëtojnë çfarë munden, kryeministri zgjedh të tallet me hallin e tyre. Një tallje që, për shumëkënd, nuk është më humor, por fyerje publike në kohë krize.
