
Policia Rrugore ka përsëritur apelin për të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në akse malore dhe zona të prekura nga moti i keq, duke kërkuar përdorimin e detyrueshëm të gomave dimërore dhe pajisjeve antirrëshqitëse (zinxhirëve), me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Drejtori i Policisë Rrugore, , gjatë pasdites së sotme ka inspektuar shërbimet e Policisë Rrugore në Rrugën e Arbërit, një nga akset më problematike gjatë kushteve të motit të keq, për të vlerësuar situatën në terren dhe për të komunikuar drejtpërdrejt me efektivët e angazhuar.
Gjatë inspektimit, Vatoci përcolli një mesazh të qartë për drejtuesit e mjeteve:
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të përdorin goma dimërore dhe pajisje antirrëshqitëse. Policia Rrugore ka marrë urdhër të prerë që të ndëshkojë çdo drejtues automjeti që nuk zbaton me rigorozitet rregullat e qarkullimit në kushte dëbore dhe ngricash.”
Ai theksoi se mosrespektimi i këtyre masave përbën rrezik serioz për jetën e drejtuesve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës, veçanërisht në zona malore ku prezenca e dëborës dhe akullit e vështirëson ndjeshëm qarkullimin.
Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve që, në çdo rast nevoje apo emergjence, të telefonojnë numrin 112 dhe të bashkëpunojnë me shërbimet policore në terren, të cilat janë në gatishmëri të plotë.
Ndërkohë, autoritetet po bashkëpunojnë me firmat kontraktore për mirëmbajtjen e akseve rrugore, për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës, me qëllim mbajtjen e rrugëve të kalueshme dhe reduktimin e rrezikut nga ngricat.
Si pasojë e motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, shërbimet e Policisë Rrugore janë 100% në detyrë, së bashku me Patrullat e Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, të cilat po punojnë për të ndihmuar qytetarët në zonat problematike dhe për të menaxhuar trafikun rrugor.
Autoritetet apelojnë që drejtuesit e automjeteve të planifikojnë lëvizjet me kujdes, të shmangin udhëtimet e panevojshme në kushte ekstreme dhe të respektojnë në çdo moment udhëzimet e Policisë, për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve në rrugë.
