Lea Ypi largohet nga Shqipëria pa mbushur javën: Erdhi me ligjëratë akademike, iku me gjuhën e Ramës

0

Lea Ypi erdhi në Tiranë si intelektuale londineze, me aureolën e autores globale dhe me pritshmëritë që zakonisht shoqërojnë figurat që vijnë “nga jashtë” për të na shpjeguar veten tonë. U largua shpejt. Pa mbushur javën. Jo si studiuese që mbyll një cikël takimesh, por si protagoniste e një episodi që do të kujtohet gjatë në Tiranë për tonin, nervin dhe gjuhën e zgjedhur në momentin e ikjes.

Teksti i lamtumirës së saj, i mbushur me metafora labirintesh, minotaurësh dhe fije Ariadne, në thelb ishte një akt akuze. Jo ndaj pushtetit, jo ndaj realitetit që ajo vetë ka analizuar prej vitesh, por ndaj mediave dhe kritikëve që guxuan ta vënë në diskutim. Gjuha? Jo e filozofes kritike. Jo e intelektuales së pavarur. Por një gjuhë e njohur mirë në Shqipëri: gjuha e Edi Ramës ndaj “shpifësve”, “pluhurit mediatik” dhe “hiçit dixhital”.

Ironia është e plotë. Ajo që erdhi për të folur për lirinë, për përballjen me të shkuarën dhe për guximin intelektual, u largua duke demonizuar pikërisht kritikën publike. Në vend të debatit, etiketim. Në vend të ballafaqimit, përçmim. Në vend të durimit demokratik, nervozizëm elitist.

Në Tiranë, për disa ditë, u krijua përshtypja se po përgatitej një hyrje simbolike në “radhën e qumështit për kryeministrë” – ajo listë e pashkruar figurash të importuara që herë pas here shiten si alternativë morale, kulturore apo estetike e pushtetit ekzistues. Por kjo ëndërr u mbyll para se të fillonte. Karrigia kryeministrore nuk u afrua as në imagjinatë politike. Dhe ndoshta kjo e shpjegon nervozizmin.

Lea Ypi nuk u përball me Shqipërinë reale. U përball me reagimin. Dhe reagimi nuk ishte duartrokitja homogjene që ndonjëherë pritet nga një publik i lodhur nga politika vendase. Ishte kritikë. Ishte pyetje. Ishte mosbesim. Dhe kjo, në vend që të shihej si shenjë shëndeti demokratik, u trajtua si sulm personal.

Kështu, ajo që do të mbahet mend nuk është dialogu, as takimet, as librat. Do të mbahet mend ikja e shpejtë dhe teksti i fundit, që tingëlloi më shumë si status i Kryeministrisë sesa si reflektim i një mendjeje të lirë akademike.

Në Tiranë, ajo nuk “hypi” kurrë realisht në skenën publike. U largua duke lënë pas një nofkë që tashmë qarkullon me ironi: “Lea zbriti pa hypur.” Një episod i shkurtër, por domethënës, për mënyrën se si pushteti i gjuhës mund të tradhtojë edhe ata që pretendojnë se janë mbi të.

Dhe Shqipëria, si gjithmonë, mbeti aty: skeptike, e ashpër, por më e sinqertë se çdo metaforë labirinti.

Artikulli i mëparshëmShiu Bën Kërdinë, Rama Tallet Me Shqiperinë
Artikulli i radhësShiu Dhe Dëbora Përmbytin Shqipërinë, Një Viktimë Dhe Dhjetëra Evakuime Në Tërë Vendin