
Dhjetëra qytetarë të it, të prekur drejtpërdrejt nga përmbytjet masive të ditëve të fundit, kanë dalë pasditen e sotme në protestë në sheshin kryesor të qytetit, duke akuzuar bashkinë dhe qeverinë si përgjegjëset kryesore për situatën e krijuar dhe dëmet e rënda të shkaktuara në banesa dhe biznese.
Me thirrje të forta si “Poshtë qeveria”, “Poshtë kryeministri” dhe “Durrësi në ujë”, protestuesit shprehën zemërimin ndaj institucioneve, të cilat, sipas tyre, kanë dështuar për vite me radhë në menaxhimin e infrastrukturës dhe parandalimin e përmbytjeve.
Protesta u zhvendos drejt godinës së bashkisë, ku qytetarët u ndaluan nga Policia Bashkiake. Për disa minuta u shënuan përplasje fizike dhe shtyrje mes protestuesve dhe efektivëve, duke e tensionuar edhe më tej situatën.
Në protestë kanë marrë pjesë kryesisht banorë të zonës së ish-Kënetës, e cila konsiderohet si një nga më të goditurat nga përmbytjet, por edhe qytetarë nga Shkozeti, Plazhi, Spitalla, Lagjja 1 dhe Sukthi.
“Për 30 vite nuk kemi parë kurrë përmbytje të këtyre përmasave në Durrës. Është mbytur plazhi, Shkozeti, Spitalla, Lagjja 1. Po për Velierën, kush e kishte fajin që u mbyt?”, u shpreh një nga qytetarët e pranishëm.
Një tjetër qytetare, mes emocioneve dhe revoltës, drejtoi kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit , duke theksuar se qytetarët ndihen të braktisur në një moment kritik.
“Ai i gjati lart, a e sheh popullin që ka kundër? Po pi verë 33 mijë euro, që mos e piftë! A e sheh këtë popull këtu? Zoti i dënoftë. E zënshin haqet e këtij populli”, u shpreh ajo.
Sipas protestuesve, përmbytjet nuk janë thjesht pasojë e reshjeve intensive, por rezultat i keqmenaxhimit, abuzimeve me fondet publike dhe mungesës së investimeve reale në sistemet e kullimit, hidrovore dhe infrastrukturë urbane.
Situata në Durrës mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse nuk ka reagim konkret nga autoritetet dhe nëse nuk merren masa reale për dëmshpërblimin e familjeve të prekura dhe parandalimin e krizave të ngjashme në të ardhmen.
