
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë publike detaje të reja mbi operacionin e zhvilluar gjatë fundjavës, ku u godit një grup kriminal i dyshuar për mashtrim masiv të shtetasve italianë dhe europianë, përmes qendrave të thirrjeve që operonin në Tiranë duke u paraqitur si kompani investimesh në kriptomonedha.
Sipas njoftimit zyrtar, pasi u informuan për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, organizatorët e aktivitetit të paligjshëm kanë boshatisur ambientet e Call Center-it gjatë natës së 15–16 janarit. Pajisjet janë transportuar drejt një ambienti tjetër, të marrë me qira në godinën “Downtown One”, në bulevardin “Bajram Curri”.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona me inicialet R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K. Ndërkohë, për K.K., H.XH. dhe tre shtetas të tjerë janë lëshuar urdhra ndalimi, pasi dyshohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente të ndryshme, përfshirë banesa, automjete, zyra dhe garazhe. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, dokumente, sisteme monitorimi me kamera, pajisje të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, serverë, si dhe automjete dhe motomjete të përdorura nga autorët e dyshuar. Mes mjeteve të sekuestruara ndodhet edhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përkiste organizatorëve të aktivitetit kriminal.
Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se procedimi penal nr. 03/2026 është regjistruar për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.
Hetimet kanë nisur pas dorëzimit të materialeve nga gazetarë italianë të një emisioni investigativ, të cilët kishin dokumentuar aktivitetin e dyshuar kriminal. Nga verifikimet rezulton se një Qendër Thirrjesh funksiononte në katet e 9-të dhe të 13-të të një ndërtese në zonën e qendrës së Tiranës, nga ku shtetas të mirëorganizuar mashtronin qytetarë të huaj për investime në kriptomonedha, përmes platformave mashtruese.
Sipas të dhënave të siguruara gjatë hetimeve, qendra e thirrjeve ishte e strukturuar në mënyrë profesionale, me role të ndara dhe staf që operonte në disa gjuhë të huaja, përfshirë italishten, frëngjishten, spanjishten dhe gjermanishten. Transaksionet financiare kryheshin përmes kriptovalutave, në portofole virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se organizatorët kishin ngritur një sistem të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës dhe me personel vëzhgimi jashtë ambienteve të qendrës. Ekzistojnë indicie se mbrëmjen e 15 janarit, pas përfundimit të punës, ky personel ka njoftuar pronarët për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, çka ka çuar në largimin e pajisjeve dhe boshatisjen e ambienteve gjatë orëve të para të 16 janarit.
Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, hetuesit konstatuan se ambientet ishin boshatisur. Falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur identifikimi i personave dhe automjeteve që kishin transportuar pajisjet drejt një ambienti tjetër në “Downtown One”. Aty u kapën në flagrancë disa persona që po transportonin pajisje dhe po përpiqeshin të asgjësonin prova materiale.
Në ambientin e ri u konstatuan pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta SIM, dokumente dhe blloqe shënimesh, çka konfirmon se aty po ndërtohej një tjetër Qendër Thirrjesh.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se hetimet vijojnë për inventarizimin dhe analizimin e të gjitha pajisjeve të sekuestruara, si dhe për identifikimin e të gjithë viktimave të mashtrimit, në bashkëpunim me autoritetet e huaja. Autoritetet kanë theksuar se fenomeni i mashtrimit online përmes Call Center-ave do të mbetet një prioritet hetimor dhe kanë bërë apel për ndërgjegjësimin e personave që punojnë në këto struktura, që të mos bëhen pjesë e veprimtarive të paligjshme.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
