
Debati i ngritur mes dhe rrjetit nuk ka të bëjë realisht as me RTSH-në, as me lirinë e medias dhe as me standardet europiane. Ai është një konflikt i fabrikuar, i ushqyer qëllimisht dhe i përdorur politikisht, ku pala tjetër – me ose pa vetëdije – bie në një kurth të njohur të kryeministrit.
Së pari, duhet thënë qartë: Rama nuk ka asnjë arsye as ta mbyllë RTSH-në dhe as të mos e financojë atë. RTSH prej vitesh funksionon si një strukturë që i shërben qeverisë 24 orë në ditë. Informimi i paanshëm i publikut është shqetësimi i fundit i shumicës së atyre që punojnë aty. Programacioni është i mbushur me kronika të buta, muhabetra periferike, thashetheme personale dhe një editorializëm që shmang çdo përplasje reale me pushtetin.
Në këtë realitet, alarmi për “rrezikimin e pavarësisë së RTSH-së” tingëllon ose hipokrit, ose thellësisht i shkëputur nga terreni shqiptar. RTSH nuk po rrezikohet, sepse pavarësia e saj editoriale, në praktikë, ka kohë që është e kompromentuar.
Atëherë, pse i intereson Ramës kjo përplasje?
Sepse Rama nuk kërkon të debatojë për media; ai kërkon konfliktin vetë. Dhe jo me këdo, por me organizata dhe rrjete ndërkombëtare, në frymën e përplasjeve që ka pasur ndër vite me media, gazetarë dhe organizata që pretendojnë të mbrojnë lirinë e shtypit. Rama synon të asociohet me figurën e liderit që sfidon establishmentin, që kundërshton OJQ-të, refuzon “leksionet morale” dhe projekton imazhin e politikanit që nuk pranon tutelë.
Trump nuk ka pasur ndonjë përplasje direkte me SafeJournalists. Por modeli politik është i njëjtë. Rama nuk po kopjon një konflikt konkret; ai po imiton narrativën. Përplasja me SafeJournalists ka vlerë jo për përmbajtjen, por për simbolikën që prodhon.
Në këtë kuptim, Rama nuk polemizon për RTSH-në. Ai ndërton imazhin e udhëheqësit që përplaset, që sfidon dhe që nuk tërhiqet, edhe kur kjo sjell kosto personale apo diplomatike. Është një strategji e njohur: konflikti i kontrolluar shndërrohet në kapital politik.
Nga ana tjetër, rrjetet dhe organizatat që reagojnë ndaj Ramës bien në një grackë klasike. Ato e trajtojnë debatin në mënyrë abstrakte, normative dhe jashtë realitetit shqiptar. Të flasësh për standarde, reforma dhe pavarësi editoriale pa pranuar se RTSH është prej kohësh një institucion i kapur, e zbraz debatin nga çdo seriozitet.
Në fund, ky debat nuk prodhon asnjë fitues real. RTSH mbetet po ajo që ka qenë, publiku vazhdon të mos informohet siç duhet, ndërsa Rama fiton atë që i duhet më shumë në këtë moment politik: përplasje, protagonizëm dhe imazhin e liderit që sfidon “establishmentin”.
Ky nuk është debat për media dhe as për liri shprehjeje. Është teatër politik. Dhe Rama, si zakonisht, e di shumë mirë skenën, rolin dhe audiencën.
