Defekti në linjën e OST lë pa energji disa zona të Tiranës, OSHE: Po furnizojmë pjesë-pjesë përmes linjave alternative

0

Një defekt në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të kryeqytetit mbrëmjen e së hënës. Problemi është regjistruar në linjën e tensionit të lartë 110 kV Tirana 220 kV – Traktora, pjesë e sistemit të Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).

Si pasojë, pa energji elektrike kanë mbetur disa lagje në Njësinë Administrative 1 dhe 2, përfshirë zona si Ali Demi, Shkozë, Sauk, Farkë, Tregu Elektrik dhe territore përreth “Rrugës së Elbasanit”, Freskut dhe Teleferikut.

Sipas të dhënave paraprake, shkaku i ndërprerjes dyshohet të jetë djegia e nënstacionit të Njësisë 2, çka ka sjellë stakimin e menjëhershëm të linjës së transmetimit rreth orës 20:30. Defekti ka lënë për disa minuta pa energji një pjesë të konsiderueshme të qytetit.

Burime zyrtare nga OSHE bëjnë me dije se grupet teknike janë angazhuar menjëherë në terren dhe po kryejnë manovra me linjat rezervë, duke përdorur skema unazë për të rikthyer furnizimin gradualisht. Sipas njoftimit, institucionet e rëndësisë së veçantë janë furnizuar me energji, ndërsa në disa zona energjia elektrike është rikthyer brenda 30 minutash.

“Po punohet për furnizimin pjesë-pjesë të nënstacioneve nga linja alternative, deri në normalizimin e plotë të situatës”, thuhet në komunikimin e OSHE.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat të saktë për rikthimin e energjisë në të gjitha zonat e prekura, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.


Artikulli i mëparshëmTensione SHBA–BE për Groenlandën/ Trump i kërkon Europës të shohë nga Rusia dhe Ukraina, jo nga ishulli arktik
Artikulli i radhësPseudo-nacionalizëm selektiv dhe akuza të ricikluara: reagimi i Ardit Bidos zbret debatin për KiE në baltë politike