Pseudo-nacionalizëm selektiv dhe akuza të ricikluara: reagimi i Ardit Bidos zbret debatin për KiE në baltë politike

0

Reagimi i Ardit Bido ndaj emërimit të Vangjel Dule si anëtar zëvendësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka sjellë asnjë argument institucional apo politik me peshë. Përkundrazi, deklarata e tij shfaqet si një ushtrim i njohur pseudo-nacionalizmi, i përdorur sipas rastit dhe për konsum të brendshëm partiak.

Bido, i cili në të shkuarën ka qenë i përfshirë në akuza publike për falsifikime dhe manipulime dokumentare gjatë drejtimit të Arkivit të Shtetit, shfaqet sot si “roje” e patriotizmit, duke etiketuar antishqiptar çdo zë politik që nuk i përshtatet narrativës së tij. Këto akuza, të debatuara gjerësisht në opinionin publik dhe media, e bëjnë edhe më të dobët pozicionin e tij moral për të shpërndarë certifikata nacionalizmi.

Ironia thellohet nga fakti se Bido identifikohet politikisht si përfaqësues dhe produkt politik i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, forcë e lidhur drejtpërdrejt me Shpëtim Idrizin. Një parti që për vite me radhë ka përdorur kauza kombëtare si instrument elektoral, por që në praktikë ka prodhuar më shumë klientelizëm se rezultate konkrete në favor të çështjes qe përfaqësonte.

Sulmi ndaj Dules nuk lidhet realisht me Këshillin e Evropës apo përfaqësimin e Shqipërisë, por me frikën klasike të pseudo-nacionalistëve: humbjen e monopolit të fjalorit patriotik. Kur përfaqësimi institucional nuk kalon përmes filtrit të tyre politik, ai shpallet automatikisht “antishqiptar”.

Në vend që debati të fokusohej te roli i delegacioneve shqiptare në institucionet europiane dhe te nevoja për përfaqësim pluralist, reagimi i Ardit Bidos e kthen çështjen në një sherr personal dhe ideologjik, të shkëputur nga realiteti diplomatik.

Në fund, ajo që mbetet nuk është një debat për interesin kombëtar, por një tjetër shembull se si pseudo-nacionalizmi i importuar nga partitë satelite përdoret për të mbuluar mungesën e kredibilitetit personal dhe politik.

Artikulli i mëparshëmDefekti në linjën e OST lë pa energji disa zona të Tiranës, OSHE: Po furnizojmë pjesë-pjesë përmes linjave alternative