
Sot mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca lidhur me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë më herët nga Gjykata e Posaçme.
Seanca nis në orën 10:00 dhe zhvillohet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin për pezullimin e Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij kushtetuese si kryeministër.
Sipas Ramës, nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror apo gjykatës do të legjitimohej si e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë do të krijohej një precedent i rrezikshëm. Ai ka argumentuar se një veprim i tillë do të përbënte shtrirje të pushtetit gjyqësor përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe jetën politike, duke hapur rrugë për presione politike ndaj qeverisë, destabilizim institucional dhe manipulim të pushtetit ekzekutiv përmes proceseve penale, një situatë që, sipas tij, nuk njihet në praktikat europiane.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar ankimin në Gjykatën Kushtetuese si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe për mbrojtjen e kompetencave të kryeministrit.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra, si edhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas akuzës, Balluku dyshohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të afërt, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese. Akuzat janë zgjeruar edhe me shkelje të barazisë në tendera që lidhen me projektin e Unazës së Madhe.
