
Me një ton të pazakontë dhe një eufori që prej kohësh nuk ishte shfaqur në seancat parlamentare, kryeministri sulmoi hapur Prokurorinë e Posaçme nga foltorja e Kuvendit, duke dalë publikisht në mbrojtje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama deklaroi se Veliaj po mbahet në burg pa prova dhe pa një gjykim të zhvilluar, duke akuzuar SPAK-un se është shndërruar në një institucion formal, pa efekt real në zbulimin e së vërtetës. Në fjalën e tij, kryeministri përdori ironi dhe krahasime për të delegjitimuar veprimtarinë e prokurorisë speciale.
“SPAK është bërë si një sportel. Ka qenë një sportel pas Kryeministrisë, kur bënim stërvitje basketbolli, dhe aty shkruhej ‘letrat nga populli’. Kështu është bërë SPAK. Dhe Tony Blair keni çuar në SPAK. S’doli gjë. Tani çojeni prapë Tony Blair-in, se kush e di del ndonjë provë si ato që mbajnë në burg pa gjyq Lali Erin, për të cilin janë shkruar tre volume romani policor, por prova për korrupsion s’ka, s’ka, s’ka,” deklaroi Rama.
Sulmi i drejtpërdrejtë ndaj SPAK-ut vjen në një moment tensioni të lartë institucional, ku Prokuroria e Posaçme po përballet me presion të shtuar politik për shkak të hetimeve që përfshijnë figura të rëndësishme të pushtetit lokal dhe qendror. Retorika e përdorur nga kryeministri u interpretua nga shumë vëzhgues si përpjekje për të delegjitimuar procesin penal dhe për të ndikuar në opinionin publik.
Ndërhyrja e Ramës në mbrojtje të Veliajt shënon një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit ekzekutiv dhe organit të posaçëm të akuzës, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kufijtë e ndërhyrjes politike në drejtësi dhe mbi respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve.
Në një klimë ku hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë janë kthyer në test për funksionimin e shtetit të së drejtës, deklaratat e Kryeministrit pritet të prodhojnë reagime të forta, si në rrafshin institucional, ashtu edhe në atë publik.
