Trump Nga Davosi: I Dhëmë Fund 8 Luftërave Dhe Shkatërruam Programin Bërthamor Të Iranit

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim në Samitin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku deklaroi se bota sot është më e sigurt dhe më stabile se një vit më parë. Sipas tij, që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka luajtur rol kyç në përfundimin e disa konflikteve të armatosura në nivel global.

Trump u shpreh se SHBA-të kanë kontribuar në mbylljen e tetë luftërave, duke përfshirë edhe konflikte për të cilat, sipas tij, opinioni publik nuk kishte informacion të plotë. Ai veçoi si arritje përfundimin e luftës mes Indisë dhe Pakistanit, si dhe theksoi se konflikti në Gaza është drejt përmbylljes.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të tij iu kushtua Iranit. Trump deklaroi se administrata e tij ka shkatërruar programin bërthamor iranian, duke shtuar se Teherani ishte vetëm dy muaj larg finalizimit të këtij programi.

“Sot bota është më e pasur dhe më në paqe nga sa ishte një vit më parë. I kemi dhënë fund disa luftërave për të cilat shumë njerëz, përfshirë edhe mua, nuk kishim informacion të plotë. Jemi të lumtur që i dhamë fund luftës mes Indisë dhe Pakistanit. Kam përfunduar tetë luftëra. Lufta në Gaza është drejt fundit. Kemi shkatërruar programin bërthamor të Iranit. Irani ishte dy muaj larg përfundimit të këtij programi. Nëse Irani do të bisedojë, ne do të bisedojmë,” deklaroi Trump.

Fjalimi në Davos vjen në një moment kur politika e jashtme amerikane po kërkon të projektojë imazhin e një fuqie stabilizuese globale, me theks te ndërhyrjet diplomatike dhe operacionet strategjike që, sipas Shtëpisë së Bardhë, kanë reduktuar rreziqet e përshkallëzimit të konflikteve ndërkombëtare.

Artikulli i mëparshëmGJKKO e pezulloi nga detyra, sot seanca në Kushtetuese, merret vendimi për Ballukun
Artikulli i radhësKërkesa E Ramës Për Pezullimin E Ballukut, Kushtetuesja Tërhiqet Për Vendim. Kryeministria Dhe Kuvendi: U Shkel Kushtetuta, Ministri Njësoj Si Deputeti. SPAK: Pezullimi Sepse Rrezikohej Prishja E Provave