
Një denoncim i rëndë është raportuar mbrëmjen e sotme pas protestës kombëtare të opozitës në Tiranë, ku sipas raportimit të gazetarit të Syri TV, Fatjon Gjinaj, një fëmijë 10-vjeçar është shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe dyshohet se është dhunuar fizikisht gjatë ndalimit.
Bëhet fjalë për R. K, 10 vjeç, i cili sipas deklarimeve nuk ka pasur asnjë kontakt me familjarët e tij pas shoqërimit nga policia. Gazetari raporton se i mituri ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe është i traumatizuar nga ngjarja e ndodhur gjatë ndërhyrjes policore.
Sipas dëshmisë së cituar, fëmija ka deklaruar se është goditur me shpullë në kokë ndërsa ndodhej brenda një mjeti policie. “Më kanë gjuajtur me shpullë këtu në kokë”, mësohet të ketë thënë i mituri, duke ngritur dyshime serioze mbi trajtimin e tij gjatë shoqërimit.
Deri në këto momente, prindërit e 10-vjeçarit nuk kanë mundur të komunikojnë me të, ndërsa nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me rrethanat e shoqërimit, arsyet e ndalimit apo gjendjen e të miturit.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në kuadër të arrestimeve dhe shoqërimeve të kryera nga policia pas përfundimit të protestës kombëtare të opozitës, ku dhjetëra qytetarë u ndaluan pas përplasjeve, përdorimit të gazit lotsjellës dhe ndërhyrjeve të forcave të rendit.
Rasti ka ngjallur reagime të forta politike dhe publike, duke u cilësuar si tregues i një trajtimi çnjerëzor dhe të papranueshëm ndaj protestuesve paqësorë dhe, në mënyrë alarmante, edhe ndaj të miturve. Deri tani, mungesa e transparencës dhe heshtja institucionale vetëm sa e rëndojnë më tej situatën dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut gjatë ndërhyrjeve policore.
