
Partia Demokratike do të zhvillojë pasditen e së shtunës një protestë para Kryeministrisë, ndërsa Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave që do të shoqërojnë tubimin, duke njoftuar për bllokime të shumta rrugore dhe kufizime të qarkullimit në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, disa segmente kryesore të Tiranës do të mbyllen që nga mesnata e sotme, ndërsa bllokime të tjera do të nisin nga ora 15:00 e së shtunës dhe do të zgjasin deri në përfundim të protestës. Autoritetet policore bëjnë me dije se kufizimet mund të zgjerohen edhe në akse të tjera, në varësi të ecurisë së tubimit.
Policia ka sqaruar se është përgatitur një plan devijimi për qarkullimin e automjeteve, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në rrugë alternative, por njëkohësisht u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin zonat e paralajmëruara për bllokim.
Në deklaratën e saj, Policia e Tiranës thekson se është e angazhuar për garantimin e rendit publik, sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës publike e private. Megjithatë, ajo paralajmëron për mundësinë e tensioneve dhe u kërkon qytetarëve të distancohen nga çdo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike.
“Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, u bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen nga veprime të kundërligjshme që mund të rrezikojnë sigurinë publike,” thuhet në apelin e Policisë.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet në prag të protestës, duke deklaruar se qytetarët do të marshojnë drejt Kryeministrisë për t’i dhënë, sipas tij, një “leksion politik” qeverisë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit që të qëndrojë në zyrë dhe të përballet me protestuesit.
Protesta e së shtunës pritet të jetë një nga tubimet më të mëdha të opozitës në muajt e fundit, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të shmangur incidente dhe për të garantuar mbarëvajtjen e saj.
