“Na Merrni Floririn, Por Jo Hebrenjtë” – Rama Në Parlamentin Izraelit: Të Tradhtosh Mikun Është Krimi Më I Pafalshëm

0

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael, Kryeministri mbajti një fjalim në Parlamentin izraelit, ku u ndal te lidhjet historike mes shqiptarëve dhe popullit hebre, duke theksuar rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vlerat e mikpritjes që kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare ndër shekuj.

Në fjalën e tij, Rama solli në vëmendje ndihmën që shqiptarët u dhanë hebrenjve gjatë Holokaustit, duke theksuar se ky nuk është një episod legjendar, por një fakt historik i dokumentuar.

“Dua që këto shembuj historikë t’i sjell për të siguruar ata që mbajnë një pikëpamje komplet ndryshe nga e imja për Gazën, se shqiptarët sjellin një mësim shumë të mirë për atë se çfarë është e aftë të sjellë ideologjia,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se marrëdhënia mes dy popujve është ndërtuar shumë më herët se shekulli XX, që nga koha kur hebrenjtë kërkonin strehim në trojet shqiptare, duke e konsideruar Shqipërinë një vend sigurie.

Duke iu referuar një prej momenteve më të errëta të historisë europiane, Rama përmendi qëndrimin e shqiptarëve përballë presionit nazist:

“Gjatë Holokaustit, kur nazistët dërguan zyrtarët e tyre dhe kërkuan dorëzimin e hebrenjve, shqiptarët thanë: ‘Na merrni floririn, por jo hebrenjtë’. Kjo nuk është një legjendë.”

Sipas tij, ky qëndrim buron nga një parim themelor i kulturës shqiptare, i përmbledhur në një fjali të vetme:

“Për ta shpjeguar këtë mrekulli që kanë bërë shqiptarët, mjafton një fjali: ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Të tradhtosh mikun është krimi më i pafalshëm që mund të ndodhë.”

Në përfundim, Rama theksoi se gjatë asaj periudhe vendimtare, gjyshërit shqiptarë – myslimanë dhe të krishterë – zgjodhën humanizmin mbi frikën, duke mbrojtur jetë njerëzish edhe në rrezik të jetës së tyre, një trashëgimi morale që, sipas tij, mbetet një nga kapitujt më të ndritur të historisë shqiptare.

Artikulli i mëparshëmRama Takim Me Netanyahun Në Jerusalem, Kryeministri Do Të Mbajë Fjalim Në Parlamentin Izraelit