
Një aksident rrugor tragjik ka tronditur Greqinë dhe opinionin sportiv europian, pasi shtatë tifozë të skuadrës greke PAOK humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur, gjatë një udhëtimi drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyon.
Autoritetet kanë konfirmuar se mes viktimave ndodhet edhe një shtetas shqiptar, 29-vjeçari Vasil Palo, me origjinë nga Korça. Ndërkohë, një tjetër shqiptar, Genci Sadiku, ndodhet mes të plagosurve dhe po merr trajtim mjekësor në Rumani.
Të gjithë personat që udhëtonin në furgonin e aksidentuar ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç. Sipas të dhënave zyrtare, mjeti tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë manovrës u përplas kokë më kokë me një kamion tjetër, duke sjellë pasoja katastrofike.
Për shkak të kushteve të këqija atmosferike, helikopterët e emergjencës nuk mundën të ndërhyjnë në vendngjarje, ndërsa të plagosurit u transportuan me urgjencë në spitalin e qytetit Lugoj.
Autoritetet greke ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me institucionet rumune për identifikimin përfundimtar të viktimave, procedurat ligjore dhe mbështetjen e familjarëve. Ndërkohë, klubi i PAOK ka shpallur zi zyrtare, duke njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave të pajetë dhe ndihmën për të plagosurit.
Dhjetëra tifozë të tjerë të PAOK, të cilët ishin nisur drejt Lionit, janë kthyer në Greqi, ndërsa kërkesa për shtyrjen ose anulimin e ndeshjes nuk është pranuar nga autoritetet europiane të futbollit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga spektri i plotë politik dhe sportiv grek, duke e kthyer këtë aksident në një nga tragjeditë më të rënda që ka prekur komunitetin e tifozëve vitet e fundit.
