
Në një Shqipëri ku gjysma e qeverisë Rama 4 dhe një pjesë e konsiderueshme e Rama 3 janë të lidhura me dosje penale për korrupsion, vjen një zë nga Brukseli për të na dhënë leksione morali. Jo nga ndonjë tribunal antikorrupsioni, por nga një eurodeputet socialist austriak, , i cili na kërkon të “mos dramatizojmë gjithçka” dhe të zëvendësojmë molotovët me argumente.
Tingëllon bukur. Aq bukur, sa duket si slogan broshure, jo si analizë reale e një vendi ku kapja e institucioneve, pandëshkueshmëria dhe korrupsioni sistemik janë bërë normë. Në këtë realitet, të flasësh për “dialog politik” pa përmendur asnjëherë përgjegjësinë, drejtësinë apo llogaridhënien, është si t’i kërkosh një pacienti me temperaturë të lartë të buzëqeshë më shumë.
Schieder nuk erdhi për të parë SPAK-un në veprim, as për të pyetur pse dosjet e mëdha zvarriten. Nuk erdhi për të takuar qytetarë të zhgënjyer apo gazetarë që përballen me presion. Ai erdhi, foli, u fotografua dhe u largua, duke lënë pas një mesazh neutralizues: qetësi, mos e dramatizoni. Një mesazh i përshtatshëm për një pushtet që ka nevojë pikërisht për qetësi, jo për zhurmë.
Ironia është se dialogu kërkohet në një vend ku balanca e pushteteve është e thyer, ku opozita përjashtohet, denigrohet ose injorohet, dhe ku protesta kriminalizohet, ndërsa korrupsioni relativizohet. Të flasësh për dialog pa adresuar shkakun e konfliktit është të bësh sikur problemi është stili i debatit, jo përmbajtja e tij.
Në fund, mbetet një pyetje e thjeshtë: kush përfiton nga ky “mos-dramatizim”? Qytetarët që shohin drejtësinë të vonojë, apo një qeveri që ka nevojë për qetësi diplomatike për të vazhduar si më parë?
Eurodeputeti austriak mund të ketë shijuar ndonjë qofte dhe ndonjë birrë në Tiranë, me faturë që nuk e paguan qytetari shqiptar. Por Shqipëria nuk ka nevojë për turistë politikë me fraza të gatshme. Ka nevojë për drejtësi reale, presion të ndershëm ndërkombëtar dhe një Europë që flet qartë, jo butë, kur përballet me korrupsionin.
