
Ish-futbollisti i njohur brazilian, Adriano, është shfaqur i revoltuar në rrjetet sociale pasi nëna e tij ka rënë viktimë e një mashtrimi të sofistikuar në WhatsApp, ku autorët janë shtirur si ai duke përdorur teknologji të Inteligjencës Artificiale.
Sipas denoncimit publik të bërë nga vetë Adriano, mashtruesit kanë kontaktuar nënën e tij, Rosilda, duke u paraqitur si djali i saj dhe duke i kërkuar para me justifikimin se kishte ndryshuar numrin e telefonit dhe ndodhej në vështirësi. Si pasojë e këtij mashtrimi, ajo ka transferuar 15 mijë realë brazilianë, një shumë që sipas kursit të këmbimit kap vlerën e rreth 2400 eurove.
Në videon e publikuar, Adriano shfaqet dukshëm i zemëruar dhe emocional, teksa paralajmëron publikun për këtë formë mashtrimi dhe i bën thirrje të gjithëve që të mos bien pre e mesazheve apo telefonatave të dyshimta. Ai thekson se numri i tij i telefonit nuk ka ndryshuar dhe se nuk do t’i kërkonte kurrë para familjarëve përmes aplikacioneve të mesazheve.
“Nëna ime sapo ka depozituar 15 mijë realë në llogarinë e një personi që shtirej si unë. Mos e bëni këtë gabim. Unë nuk e kam ndryshuar numrin tim”, shprehet ish-bomberi brazilian.
Më pas, reagimi i Adrianos bëhet edhe më i ashpër, duke iu drejtuar drejtpërdrejt mashtruesit me një paralajmërim të fortë. Ai kërkon kthimin e menjëhershëm të parave dhe kërcënon se do ta zbulojë autorin e mashtrimit.
“Është më mirë t’i kthesh ato para. Po të ndjek këmba-këmbës. Nuk preken nëna, gjyshe apo familjarë. Nëse nuk i ktheni brenda 24 orëve, gjithsesi do ta zbuloj kush jeni dhe atëherë do ta shihni djallin të zbresë në tokë”, deklaron Adriano.
Rasti ka rikthyer vëmendjen te një fenomen gjithnjë e më shqetësues, veçanërisht në Brazil, ku mashtruesit përdorin Inteligjencën Artificiale për të imituar zërin apo identitetin e personave të njohur, duke manipuluar emocionalisht familjarët e tyre për përfitime financiare.
Adriano, i cili prej vitesh njihet për lidhjen e fortë me nënën e tij, e cilëson këtë ngjarje si një vijë të kuqe të pakalueshme dhe bën thirrje për më shumë kujdes ndaj mashtrimeve digjitale që po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe të rrezikshme.
