
Gjykata Kushtetuese është mbledhur paraditen e kësaj të premteje, në një moment kritik për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërsa paralelisht ajo është parë të hyjë në ambientet e Kryeministrisë.
Sipas burimeve institucionale, trupa e Kushtetueses është mbledhur rreth orës 11:00, por ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi objektin e saktë të diskutimit. Megjithatë, zhvillimi vjen në një fazë vendimtare të përplasjes mes qeverisë, SPAK dhe sistemit të drejtësisë, duke shtuar pritshmëritë për një vendim të rëndësishëm.
Prania e Ballukut në Kryeministri, në të njëjtën kohë me mbledhjen e Gjykatës Kushtetuese, ka nxitur spekulime se vendimi i gjykatës mund të jetë i afërt. Lëvizja e saj drejt zyrave të Edi Ramës shihet si sinjal se zhvillimet institucionale po hyjnë në një fazë përmbyllëse.
Kujtohet se në nëntor të vitit të kaluar, GJKKO, me kërkesë të SPAK, vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, pasi ajo u mor e pandehur për akuza që lidhen me abuzime në tendera. Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi këtë masë, duke e cilësuar si shkelje të kompetencave të tij kushtetuese dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi edhe heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, për të hapur rrugën drejt një mase më të rëndë sigurie. Mazhoranca socialiste ka shtyrë shqyrtimin e kësaj kërkese, duke argumentuar se duhet pritur më parë vendimi i Kushtetueses, një qëndrim që është kundërshtuar nga opozita.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim jo vetëm në fatin personal dhe politik të Belinda Ballukut, por edhe në raportet mes pushtetit ekzekutiv, drejtësisë dhe Kuvendit, në një moment kur vëmendja ndërkombëtare ndaj Shqipërisë është më e lartë se kurrë.
