
Problemet me funksionimin e modulit SelfCare në platformën e-Albania vijojnë të krijojnë vështirësi serioze për bizneset dhe profesionistët e kontabilitetit. Edhe gjatë ditës së sotme, përdorues të shumtë kanë raportuar se shërbimi është jashtë funksioni, pavarësisht se për disa ditë radhazi kishte qenë i aksesueshëm, megjithëse me vështirësi.
Sipas raportimeve nga terreni, rritja e ngarkesës në fillim të javës ka sjellë bllokimin e aksesit, duke shfaqur në ekran mesazhin se përdoruesit duhet të hyjnë përmes faqes kryesore të platformës, pa mundur të kryejnë veprimet e nevojshme. Situata është përsëritur disa herë që nga data 20 janar, duke e kthyer SelfCare në një pengesë të vazhdueshme për punën e përditshme të bizneseve.
Ekonomistë dhe kontabilistë shprehen se për shkak të mosfunksionimit të sistemit janë detyruar të punojnë jashtë orareve normale, përfshirë fundjavat dhe orët e natës, kur ngarkesa në platformë është më e ulët. Sipas tyre, kjo situatë ka sjellë jo vetëm stres profesional, por edhe dyfishim të kohës së punës dhe reduktim të ndjeshëm të kohës së lirë.
Mosfunksionimi i SelfCare ka pasoja konkrete në disa procese kyçe administrative. Bizneset dhe personat fizikë hasin vështirësi në lëshimin e faturave të fiskalizuara, importuesit nuk arrijnë të kryejnë fiskalizimin e deklaratave doganore brenda afateve, ndërsa ndryshime të thjeshta administrative, si korrigjimi i adresës në certifikatën elektronike, mbeten të pamundura.
Problemet janë reflektuar edhe në respektimin e afateve ligjore. Bllokimi i platformës ka ndikuar drejtpërdrejt në dorëzimin e deklaratave që duhej të paraqiteshin deri më 31 janar, duke detyruar administratën tatimore të shtyjë afatin deri më 20 shkurt. Kjo periudhë përkon me mbylljen e bilanceve vjetore, një proces ku SelfCare përbën bazën kryesore për rakordimet financiare.
Kontabilistët raportojnë se vështirësitë teknike po pengojnë edhe deklarimin e TVSH-së për muajin janar, duke krijuar pasiguri për respektimin e detyrimeve fiskale dhe rrezik për penalitete që nuk varen nga vullneti i bizneseve.
Sipas vlerësimeve të Aleancës së Profesionistëve të Lirë, bllokimet e përsëritura të SelfCare sjellin pasoja të drejtpërdrejta ekonomike: ndërprerje të punës, vonesa në faturim dhe arkëtime, rritje të riskut për gabime në dokumentacion, kosto shtesë operative dhe dëmtim të besimit në procesin e formalizimit të tregut përmes fiskalizimit.
Ndërsa digjitalizimi i shërbimeve publike mbetet një objektiv i shpallur i qeverisë, problemet e vazhdueshme të SelfCare po ngrenë pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve dhe aftësinë e tyre për të mbështetur realisht aktivitetin ekonomik në vend.
