Rama Refuzon Dorëzimin E Ballukut, SHBA Dhe BE Vendosin Vijë Të Kuqe Për Bashkëpunimin Me Shqipërinë

0

Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama për të mos proceduar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ka sjellë reagime të forta ndërkombëtare, duke e vendosur Shqipërinë përballë një presioni të hapur diplomatik nga aleatët strategjikë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka theksuar se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është kusht thelbësor për bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Deklarata vjen pas pohimeve publike të Ramës se Parlamenti nuk ka ngut për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, e depozituar që më 16 dhjetor 2025, lidhur me çështjen penale ndaj Ballukut, e marrë e pandehur për akuza që lidhen me tendera me vlerë miliona euro.

Përfaqësia amerikane ka shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë mbi çështjen konkrete, duke e cilësuar atë si proces në hetim, por mesazhi politik është i qartë: pa drejtësi të pavarur nuk ka bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Bashkimi Europian. Komisioni Europian ka deklaruar se është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit, duke e lidhur drejtpërdrejt luftën kundër korrupsionit me përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. Sipas Brukselit, kjo është edhe pritshmëria e qytetarëve shqiptarë.

Reagimet nga Uashingtoni dhe Brukseli vijnë në një moment tensioni të lartë politik, të shoqëruar me protesta masive, përplasje me policinë dhe akuza për përdorim force të tepruar. Refuzimi i shumicës për të proceduar kërkesën e SPAK shihet gjithnjë e më shumë si përpjekje për të vendosur kufij ndaj drejtësisë, duke cenuar drejtpërdrejt themelet e Reformës në Drejtësi, e cila prej vitesh është mbështetur financiarisht dhe politikisht nga SHBA dhe BE.

Mbështetja ndërkombëtare për SPAK, GJKKO dhe Byronë Kombëtare të Hetimit ka qenë e vazhdueshme dhe e pakushtëzuar, me theks të fortë tek ndëshkimi i korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit. Çdo tentativë për të penguar apo relativizuar këto procese po shihet tashmë jo thjesht si çështje e brendshme politike, por si test serioz i besueshmërisë së Shqipërisë përballë partnerëve strategjikë.

Në këtë kontekst, mesazhi nga Uashingtoni dhe Brukseli është i qartë dhe i sinkronizuar: drejtësia nuk negociohet dhe imuniteti politik nuk mund të shndërrohet në mburojë ndaj ligjit.

Artikulli i mëparshëmFOTO/ Policia Heq Etiketat, Sërish Dyshime Për Gaz Lotsjellës Të Skaduar Në Protestë
Artikulli i radhësErion Braçe, Nga Protestues Në Akuzues: Ish-Numri Dy I Qeverisë Së Ramës Etiketon Qytetarët Si Kriminelë