
Një operacion i zhvilluar nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 200 mijë euro, të cilat rezultojnë në pronësi të dy shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni, i koduar “Burimi”, u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të hetimeve për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale, brenda dhe jashtë vendit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, u vendos sekuestrim preventiv mbi një apartament në zonën e Selitës dhe një garazh në Selitë të Vogël. Pasuritë janë në pronësi të dy shtetasve të dënuar më herët për trafikim droge: njëri i dënuar në Shqipëri dhe tjetri i dënuar në Itali për të njëjtën vepër penale.
Sipas autoriteteve, vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin rreth 200 000 euro, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe bllokimin e aseteve të tjera që dyshohet se kanë burim veprimtari kriminale, si dhe për pasuri të mundshme të regjistruara në emër të personave të lidhur me ta.
Policia dhe Prokuroria theksojnë se operacione të tilla do të vijojnë si pjesë e luftës kundër pastrimit të parave dhe goditjes së pasurive që burojnë nga krimi i organizuar, me qëllim ndërprerjen e përfitimeve financiare nga aktivitetet e paligjshme.
